14.5 C
Tirana

Ibrahimaj: Ekonomia u rrit me 3,51%, mbi mesataren e vendeve të BE-së

Më datë:

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj prezantoi sot pasqyrën më të fundit mbi performancën ekonomike të vendit, në konferencën me temë “Stabilitet dhe Zhvillim përmes Ekonomisë dhe Inovacionit”.

Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi se ekonomia shqiptare po njeh një rritje të qëndrueshme, e mbështetur nga rritja e konsumit të familjeve dhe e investimeve.

Ibrahimaj tha se, “referuar të dhënave të INSTAT, gjatë 3-mujorit të dytë të këtij viti, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit në 3,51%, rritje që është ndjeshëm më e lartë se mesatarja e rritjes së BE – që mesatarisht ishte 1,5% – por më e lartë edhe se zhvillimet në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që ishte 2,9%”.

“Të gjithë treguesit ekonomikë flasin për një rritje të konsumit të familjeve”, u shpreh Ibrahimaj, duke nënvizuar se përmirësimi i të ardhurave dhe rritja e pagave po ndikojnë drejtpërdrejt në fuqizimin e kërkesës së brendshme.

Një tjetër element kyç, i përmendur nga ministrja, ishte Prodhimi Bruto i Kapitalit Fiks (PBKF), i cili është në rritje dhe tregon për një rigjallërim të investimeve në ekonomi.

“Prodhimi Bruto i Kapitalit Fiks është rritur, duke reflektuar një kërkesë në rritje në ekonomi”, deklaroi Ibrahimaj.

Ministrja theksoi gjithashtu rolin e politikave të inovacionit dhe digjitalizimit në zhvillimin ekonomik, duke shtuar se qeveria është e angazhuar për të nxitur një model të ri ekonomik, të bazuar në teknologji, sipërmarrje dhe kapital njerëzor.

Ibrahimaj theksoi se stabiliteti makroekonomik, mbështetja për sektorët prodhues dhe nxitja e investimeve do të vijojnë të jenë shtylla kryesore të zhvillimit ekonomik në Shqipëri.

Ibrahimaj tha se kërkesa e brendshme ka qenë motori kryesor i rritjes ekonomike, me një rritje prej gati 5% në tremujorin e dytë të vitit.

“Kjo kërkesë është ndikuar ndjeshëm si nga konsumi, ashtu edhe nga investimet, duke reflektuar rritjen e besimit dhe fuqizimin e ekonomisë vendase”, theksoi ajo, teksa evidentoi konsumin si shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik.

Sipas ministres, konsumi kontribuoi në 70% të rritjes ekonomike, me një rritje prej 3,83% gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. Kjo është mbështetur nga: Rritja e pagave; normat pozitive të punësimit dhe rritja e importeve të ushqimeve, si tregues i drejtpërdrejtë i konsumit të familjeve.

Po ashtu, konsumi i administratës publike shënoi një rritje të ndjeshme prej 12,44%, duke ndikuar pozitivisht në PBB-në e vendit.

Ibrahimaj theksoi se investimet dhe besimi i biznesit janë në rritje.

“Investimet në ekonomi janë rritur me 4,33%, çka tregon një kërkesë në rritje nga ana e bizneseve shqiptare për zgjerim dhe zhvillim. Ministrja theksoi gjithashtu se eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 0,97%, ndërsa importet me 3,26%, duke treguar për një aktivitet ekonomik më të zgjeruar”, u shpreh ministrja.

Sipas të dhënave të prezantuara, Investimet e Huaja Direkte (IHD) arritën në 759 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të 2025-s, një rritje me 8 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Italia dhe Turqia kryesojnë listën e investitorëve me rritjen më të lartë, ndërsa rritje shënuan gjithashtu investimet nga Austria dhe Kosova.

Ministrja theksoi se, “33,3% e IHD-ve janë përqendruar në sektorin e pasurive të paluajtshme; 19,3% në sektorin financiar; 13% në industrinë nxjerrëse, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes tregtisë, industrisë përpunuese dhe sektorit të energjisë e gazit”.

“Rreth 50% e fluksit të investimeve të huaja janë riinvestime nga sipërmarrje ekzistuese të huaja, çka tregon për rritjen e besimit në tregun shqiptar dhe përmirësimin e klimës së biznesit”, u shpreh Ibrahimaj.

Ajo u ndal te bujqësia dhe perspektiva afatgjatë e zhvillimit të këtij sektori.

“Pavarësisht se sektori i bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit shënoi një rënie të lehtë për shkak të uljes së prodhimit në blegtori dhe peshkim, bujqësia në vetvete pati një rritje prej 2,62% në tremujorin e dytë të vitit”, tha Ibrahimaj.

Ajo njoftoi se në katër vitet e ardhshme do të ketë një vëmendje të shtuar ndaj sektorit të bujqësisë.

“Aktualisht ka një fond prej 250 milionë euro në dispozicion të kreditimit të bujqësisë nga Banka e Shqipërisë, dhe bashkë me Fondin e Garancisë, kredia për bujqësinë lëvrohet me interes 2%. Ndërkohë qeveria ka miratuar ngritjen e Bankës së Zhvillimit, që do të injektojë financim të qëndrueshëm me fondet e qeverisë shqiptare, por dhe ato të huaja, për SME-të dhe bujqësinë që kanë më shumë nevojë për rritjen e produktivitetit”, u shpreh Ibrahimaj.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

ASD synon mbulimin e depozitave deri në 10 milionë lekë deri në vitin 2030

Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), gjatë raportimit sot...

Greva 24-orëshe paralizon shërbimet dhe transportin publik

Punëtorët grekë kanë hyrë në një grevë 24-orëshe për...

SHBA – Zelensky drejt një vizite zyrtare në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se do të presë...

Lamallari: Sekuestruam 65,5 milionë euro pasuri, rritje me 60% krahasuar me vitin e kaluar

Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari raportoi sot në Komisionin...