Pas një hetimi disa mujor dhe përdorimit të metodave speciale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Berat, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe shërbimet e DVP Vlorë, finalizuan operacionin antidrogë të koduar “Alfa”.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. Sh., 27 vjeç, banues në Vlorë, i cili “posedonte lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa (një pjesë të ndarë në doza), me qëllim shitjen”.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, u sekuestruan “1 kilogramë e 530 gramë kokainë, 7.5 kilogramë cannabis, peshore elektronike, municion luftarak, elektroshok dhe aparat celular”, siç raportoi policia.
Forcat e rendit po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.


