Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është liruar nga burgu pas katër vitesh. Gazetarja Glidona Daci mësoi se ndaj tij nuk ka asnjë masë sigurie.
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion e liroi nga qelia ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, pasi kanë kaluar afatet e paraburgimit.
Ai është dënuar me 6 vite e 8 muaj burg për dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Për këtë çështje, Koka ka fituar lirinë me kusht nga Gjykata e Durrësit.
Sa i përket dënimit për inceneratorin e Tiranës me dy vite burk ai e ka shlyer dënimin me kohën e paraburgimit.
E vetmja çështje aktive ndaj tij mbetet ajo për inceneratorin e Fierit, e cila është kthyer për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Apelit nga Gjykata e Lartë.
Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka shuar masën e sigurisë “arrest me burg” për inceneratorin e Fierit.
Ish-ministri qëndronte në qeli prej dhjetorit të vitit 2021 i akuzuar shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.


