Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, ka thënë se vendimi i 2014-s nga Gjykata Kushtetuese për rastin VLAN ka komplikuar demokracinë në Kosovë, duke e ndërlidhur situatën e asaj kohe me aktualen kur Vetëvendosje ka dërguar në Gjykatë dekretin e Thaçit për mandatim të Avdullah Hotit të LDK-së për kryeministër.
Sipas tij, se kujt i takon mandatari pas rrëzimit të qeverisë, duhet bazuar në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës, për “Zgjedhjen e Qeverisë”. Personalisht personalisht ka thënë se preferon dërgimin e vendit në zgjedhje.
Hartuesi i Kushtetutës së Kosovës ka thënë se ky nen do të eksplorohet nga Gjykata Kushtetuese pasi Lëvizja Vetëvendosje kontestoi dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër.
“Ky është neni që do ta eksplorojë Gjykata. Neni është diskutuar shumë kur e kemi hartuar Kushtetutën. Ekspertët amerikanë donin gjithçka t’i lihej popullit. Pika 4 thotë se gara bëhet kush i fiton zgjedhjet.
Ai është pushteti dhe në qeveri, ai që s’i fiton është në opozitë, pavarësisht sa për qind ka fituesi. Tash do ta shpjegoj në mënyrë shumë profesionale. Nuk e obligon askënd.
Pika 4 nëse përbërja e qeverisë s’merr shumicën e votave, presidenti brenda 10 ditësh emëron kandidatin tjetër sipas të njëjtës procedurë. Çka do të thotë kjo? Janë të kuptueshme.
Ky nen ka dy porosi. Tregon se në rrethin e dytë është djegë kandidatura e kandidatit të cilit i është votuar mocioni i mosbesimit, por thotë sipas procedurës së njëjtë. Do të thotë te partia fituese. Partia e parë mund të thotë po ia jap partisë së dytë apo të tretë.
Dispozita është shumë e qartë. Nuk është e heshtur. Thotë kandidatin tjetër, në këtë rast jo Albin Kurti. Nëse kanë bazë argumentet që thonë e merr i dyti e i treti më lërini të tregoj rastet e vendeve tjera. Vetëm nëse mocioni i mosbesimit e ka emrin e kandidatit për kryeministër, në atë rast e rrëzon qeverinë dhe e fut në detyrë kryeministrin e ri.
Ai s’është valid nëse s’e ka emrin e kandidatit pasues. Kjo është në disa vende”, ka thënë Bajrami në Deskun e KOHËS.


