Finalizohet operacioni i koduar “Wrong way”, goditet një rast në fushën e kontrabandës së mallrave. Në pranga ka rënë një 26-vjeçar.
I riu u arrestua, në aksin rrugor “Elbasan-Tiranë”, pasi transportonte me furgon veshje të markave të ndryshme, të kontrabanduara. Vlera e tyre arrinte në rreth 45 000 euro.
Nga operacioni janë sekuestruar veshjet dhe furgoni. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Wrong way”.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


