Policia në Spanjë ka goditur një rrjet kriminal të përbërë nga shtetas shqiptarë, i cili merrej me kultivimin e marijuanës në magazina të përshtatura si “shtëpi bari” në provincën e Zaragozës.
Siç bëjnë me dije mediat spanjolle, gjatë operacionit policor u sekuestruan 2013 bimë kanabisi dhe mbi 20 kilogramë lule marijuane, ndërsa u zbulua se grupi kishte vjedhur energji elektrike në vlerën e 214 mijë eurove, ekuivalente me konsumin e 250 banesave në një vit.
Në total u arrestuan 9 persona, të moshës 21–46 vjeç, të cilët kishin role të ndryshme në organizatë: nga drejtuesi kryesor që mbulonte logjistikën dhe financat, tek bashkëpunëtorët që transportonin materialet dhe kujdestarët e plantacioneve që jetonin brenda magazinave.

Operacioni nisi në shtator 2024, kur policia gjyqësore e Casetas dyshoi për disa magazina industriale në periferi të Zaragozës që po përdorej për kultivim të paligjshëm. Pas hetimeve, më 2 dhjetor u kryen 8 kontrolle në magazina dhe banesa në Cuarte de Huerva, San Mateo de Gállego, La Puebla de Alfindén, Zuera dhe në Zaragoza.
Policia gjeti edhe shuma të mëdha parash, telefona celularë dhe dokumente të rëndësishme për hetimin. Dy prej të arrestuarve akuzohen gjithashtu për falsifikim dokumentesh publike, pasi kishin përdorur identitete të rreme për të shmangur identifikimin.
Operacioni u drejtua nga policia gjyqësore e Casetas dhe njësia kundër krimit të organizuar dhe drogës (EDOA), me mbështetjen e forcave të sigurisë nga Zaragoza, Huesca dhe Teruel, si dhe qenve të specializuar për zbulimin e drogës.


