Pas hedhjes së shortit, Irena Gjoka është caktuar si gjyqtare për seancën paraprake në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion (GJKKO) ndaj ish-Presidentit të vendit Ilir Meta.
Kujtojmë se më 29 gusht, Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion çoi për gjykim dosjen e Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.
Ndaj tyre rëndojnë nga tre akuza, e korrupsionit pasiv, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.
Ndër personat e dërguar për gjykim është edhe nëna e Kryemadhit, e cila akuzohet për pastrim parash. Të njëjtën akuzë ka edhe E.Ç, ndërsa P.Xh, akuzohet për “korrupsion pasiv në bashkëpunim”.
Sipas SPAK, pas hetimeve të kryera janë zbuluar disa skema korrupsioni dhe përdorimi të pushtetit politik.
Më 8 shtator, në orën 10:00, në Apelin e Posaçëm do të shqyrtohet kërkesa e Metës për të fituar lirinë.
Hetimet e SPAK
Sipas SPAK, Ilir Meta, në cilësinë e ish-Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje. Kontrata kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.
“Këto marrëdhënie ngushtësisht të ndërlidhura kanë ndikuar drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se shoqëria nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre. Shoqëria “Debt International Advisory”, përmes kësaj marrëveshjeje ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 649,803,520 lekësh, e cila është konfirmuar nga një vendim gjyqësor i formës së prerë”, ka njoftuar SPAK më herët.
SPAK bën me dije se nga hetimet, është zbuluar se Meta ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga K. I., gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e Ministrit, detyrë e cila përfshinte mbikëqyrjen e procesit të privatizimit të CEZ-it dhe lidhjen e kontratave për mbledhjen e borxheve, duke konsumuar kështu elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Nga hetimet ka rezultuar, sipas SPAK, se Meta në sajë të funksionit të tij si Kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij asokohe, Monika Kryemadhe si deputete e Kuvendit, në vitin 2014 kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor të vitit të shkuar nga agjentët e BKH-së te Kthesa e Kamzës, teksa po shkonte për në selinë e Partisë së Lirisë. Ai është ish-Presidenti i parë në Shqipëri që ka rënë në pranga
Irena Gjoka ka drejtuar më parë seanca të profilit të lartë, përfshirë çështjen “Partizani”, e cila tërhoqi vëmendje të madhe publike dhe politike. Gjoka, ka qenë vazhdimisht e akuzuar nga kryedemokrati Sali Berisha, ndërsa së fundmi ai ka pretenduar se ajo rezulton e dënuar për falsifikim nga Kolegji Penal i Janinës.