Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg e ka cilësuar të padrejtë shkarkimin nga vetingu të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi. Vendimi i GJEDNJ-së konstaton shkelje të të drejtës për një proces të rregullt ligjor dhe hedh poshtë qëndrimin e institucioneve shqiptare që çuan në largimin e magjistratit në vitin 2018.
Avokati i tij Ylli Manjani pas këtij vendimi nga Strasbugu, shprehet: “Tani shteti të mbyllë spepin dhe të kthejë magistratin në punë se ka nevojë sistemi.”
Në vendimin e saj, Gjykata e Strasburgut, me unanimitet, pranoi ankesat e Selimit që lidhen me të drejtën për një gjykim të drejtë dhe respektimin e jetës private, duke konstatuar shkelje të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata vlerësoi se vetëm konstatimi i kësaj shkeljeje përbën kompensim të mjaftueshëm moral për ish-gjyqtarin.
Gjithashtu, Strasburgu i ka urdhëruar shtetit shqiptar t’i paguajë Selimit 6 mijë e 500 euro për shpenzimet e gjykimit brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, shumë mbi të cilën do të llogariten edhe interesat në rast vonese, sipas normës së Bankës Qendrore Evropiane plus tre pikë përqindje.
Gjykata hodhi poshtë çdo kërkesë tjetër të Selimit për dëmshpërblim.

Sjellim ndërmend se Shkëlzen Selimi ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë prej vitit 2011. Por ai u shkarkua nga procesi i Vettingut në vitin 2018.
Përpos punës si gjyqtar, Selimi ka qenë gjithashtu lektor në universitetet “Ismail Qemali” dhe “Pavarësia” në Vlorë, pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë si dhe ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës.
Në korrik të këtij viti, GJKKO e shpalli të pafajshëm Selimin për akuzën e ngritur nga SPAK për refuzim për deklarim e fshehje pasurie.


