12.5 C
Tirana

Europa në prag të një epidemie të re? Sëmundjet e mushkonjave që po përhapen me shpejtësi

Më datë:

Europa po përballet me një verë të nxehtë dhe me rrezikun në rritje të sëmundjeve që transmetohen nga mushkonjat, të cilat dikur ishin karakteristike vetëm për vendet tropikale.

Sipas Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), rastet e viruseve si dengue, chikungunya dhe virusi i Nilit Perëndimor janë në rritje të ndjeshme në vendet europiane.

Vetëm vitin e kaluar, në kontinentin europian u regjistruan 1,436 raste të virusit të Nilit Perëndimor dhe 304 raste të dengue-s, një shifër që tejkalon ndjeshëm totalin e dy viteve të mëparshme. Italia përbën epiqendrën e shpërthimit me 238 raste të dengës, ndërsa Franca po përballet këtë verë me shtatë vatra aktive të chikungunya-s.

Shkencëtarët e lidhin këtë përhapje me ndryshimet klimatike dhe rritjen e udhëtimeve ndërkombëtare. Jan Semenza, epidemiolog mjedisor në Suedi, thotë se sëmundje si dengue mund të përhapen lehtë, pasi shumica e të infektuarve nuk shfaqin simptoma të rënda, por virusi mbetet i rrezikshëm, duke shkaktuar temperaturë, dhimbje trupi, të përziera dhe në raste të rënda, edhe vdekje.

Chikungunya, ndonëse më pak vdekjeprurëse, shkakton dhimbje të forta të kyçeve që mund të zgjasin për muaj ose vite.

Sipas studimeve të fundit, në të kaluarën një specie e re mushkonjash duhej të qëndronte rreth 25 vjet në një vend europian për të shkaktuar shpërthim. Sot, kjo periudhë është zvogëluar në më pak se pesë vjet.

Në nivel global, që nga fillimi i vitit 2025 janë regjistruar mbi 3 milionë raste të dengue-s dhe 220 mijë raste të chikungunya-s, me mbi 1,400 viktima nga dengue dhe 80 nga chikungunya.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për rishfaqjen në Qipro të mushkonjës që transmeton ethet e verdha, një specie që ishte zhdukur më parë nga Europa. “Europa mund të përballet me një pushtim të mundshëm nga një mushkonjë shumë agresive,” paralajmëron Semenza.

Çfarë po bëhet për të frenuar përhapjen?

Sipas specialistëve, eliminimi i plotë i mushkonjave nuk është i mundur, por masat parandaluese mund të ndihmojnë në frenimin e përhapjes së viruseve. Një nga propozimet është forcimi i kontrollit në pikat hyrëse si aeroportet, sidomos në vendet e Europës Jugore gjatë muajve të verës.

Në Spanjë, qytetarët kanë mundësinë të dërgojnë fotografi të mushkonjave në një aplikacion që përdor inteligjencë artificiale për të identifikuar speciet dhe për të paralajmëruar nëse ato janë të panjohura për zonën.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Spanjës, ky program ka identifikuar llojin pushtues “mushkonja tigër aziatike” në 156 bashki që nga viti 2023, një lloj i rrezikshëm që mund të transmetojë dengue dhe chikungunya.

Qytetarëve u këshillohet gjithashtu të përdorin sprej kundër mushkonjave, si dhe të veshin rroba të mbuluara gjatë mëngjesit dhe mbrëmjes, kur aktiviteti i mushkonjave është më i lartë.

ECDC gjithashtu këshillon udhëtarët që kthehen nga zona tropikale, si Amerika Qendrore, Amerika Jugore dhe Karaibet, të vazhdojnë masat mbrojtëse për të paktën tre javë pas kthimit në Europë, për të shmangur përhapjen e viruseve nga një pickim i mundshëm.

Ekspertët kërkojnë që Europa të mësojë nga rajonet ku këto sëmundje janë endemike prej dekadash, si Afrika nën-Sahariane, Azia dhe Amerika.

“Në Europë, këto janë ende sëmundje sezonale,” thotë Semenza. “Por sezoni po zgjatet, dhe numri i rasteve do të rritet gjithnjë e më shumë.”

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Një hap më afër BE-së, Kosova pranohet si anëtare në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian

Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) është bërë institucioni...

Erdogan: Gaza ka nevojë për shërim dhe rindërtim

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan tha të premten se...

Përplasjet me Peleshin, PS kërkon përjashtimin e Bardhit me 30 ditë nga Kuvendi

14 deputetë socialistë i kanë drejtuar dje, 17 tetor,...

Prokuroria çon në gjyq 3 të pandehur, mes tyre nipërit e Agron Kapllanajt

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit...