Eurodeputeti Andres Schieder deklaroi në një konferencë për mediat në Tiranë se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian po ecën mirë dhe ka shpresa të mëdha që shumica e kapitujve të përfundojnë deri në vitin 2026.
“Mund të ndodhë që në nëntor të hapet kapitulli i fundit”, tha Schieder. Ai theksoi se më 2026 do mbyllen shumica e kapitujve, ndërsa më 2027 ka mundësi që të gjithë kapitujt të jenë të mbyllur.
Ai shtoi se procesi është shumë strikt dhe se kontrollohet në mënyrë të detajuar nëse janë përmbushur të gjitha kushtet.
Eurodeputeti theksoi gjithashtu rëndësinë e përpjekjes së të gjitha forcave politike shqiptare për integrim.
“Shumë qytetarë europianë e shohin sesa moderne është bërë Shqipëria. Në Shqipëri është me rëndësi që të gjitha forcat politike të punojnë bashkë për anëtarësimin në BE, sepse është prioritet absolut i vendit”.
“Askush nuk të jep një drekë falas. Nëse gjërat bëhen siç duhet, procesi do të ecë mirë dhe perspektiva për Shqipërinë është pozitive”.
