Ekuipazhi “Artemis II” në gjysmën e rrugës drejt Hënës, publikon imazhe “spektakolare” të Tokës

Më datë:

 “Artemis II” ka arritur në gjysmën e rrugës drejt Hënës, ndërsa NASA ka publikuar imazhet e para me rezolucion të lartë të Tokës, të realizuara nga ekuipazhi në bord, sipas BBC.

Sipas agjencisë, komandanti i misionit, Reid Wiseman, ka kapur pamjet “spektakolare” pasi ekuipazhi përfundoi ndezjen përfundimtare të motorëve që vendosi anijen kozmike në trajektoren drejt Hënës.

Rreth orës 07:00 BST, paneli online i NASA-s tregoi se anija kozmike “Orion” ndodhej rreth 142,000 milje (228,500 kilometra) nga Toka dhe 132,000 milje larg Hënës.

Astronautja, Christina Koch deklaroi se ekuipazhi kishte përjetuar një “ndjesi kolektive gëzimi” pasi arriti këtë moment historik, rreth dy ditë, pesë orë dhe 24 minuta pas nisjes.

Imazhi i parë, i titulluar “Hello, World” (Përshëndetje, Botë) paraqet shtrirjen e gjerë blu të Oqeanit Atlantik, të rrethuar nga shkëlqimi i atmosferës ndërsa Toka errëson Diellin, si dhe aurora të gjelbra në të dy polet.

Në pamje, Toka shfaqet e përmbysur – në të majtë dallohen Sahara perëndimore dhe Gadishulli Iberik, ndërsa në të djathtë pjesa lindore e Amerikës së Jugut.

NASA identifikoi gjithashtu planetin e Venusit – si pikën e ndritshme në cepin e poshtëm djathtas.

Fotografitë u realizuan pasi ekuipazhi përfundoi me sukses manovrën e njohur si “injeksioni trans-hënor”, e cila e nxori anijen kozmike nga orbita e Tokës dhe e vendosi në kurs drejt Hënës, në një udhëtim prej më shumë se 200,000 miljesh.

Misioni “Artemis II” ndodhet tashmë në një trajektore rrethore që do ta çojë ekuipazhin rreth anës së largët të Hënës dhe më pas sërish drejt Tokës.

Kjo është hera e parë që nga viti 1972 që njerëzit udhëtojnë përtej orbitës së Tokës.

Anija u nis nga “Qendra Hapësinore Kennedy” në Florida, ndërsa ekuipazhi pritet të kalojë pranë anës së largët të Hënës më 6 prill dhe të rikthehet në Tokë më 10 prill, me ulje në Oqeanin Paqësor. 

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Policia zbulon arsenal armësh në Tiranë, nënë e bir të dyshuar

Zbulohet një bazë armatimi në Tiranë. Në kuadër të...

Aksion i gjerë në burgje, sekuestrohen sende të ndaluara në Durrës dhe Rrogozhinë

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi sot se ka...

Përfundon me sukses misioni hënor Artemis II

Astronautët e misionit Artemis II janë kthyer me sukses...

Ndahet nga jeta Eliot Engel, miku i madh i Kosovës

Ka vdekur në moshën 79-vjeçare, ish-kongresisti amerikan, Eliot Engel,...