Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Austri u finalizua procedura për ekstradimin në vendin tonë të shtetasit N. A, 26 vjeç, i lindur në Bulqizë.
Ai ishte i kërkuar ndërkombëtarisht, pasi Gjykata e Elbasanit në vitin 2022 e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg.
Në vitin 2021, u konstatua se ky shtetas në aksin rrugor “Librazhd-Elbasan”, në vendin e quajtur “Ura e Lizës”, transportonte me furgon, në bashkëpunim me 4 shtetas të tjerë, 10 emigrantë nga Siria që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe kishin destinacion shtetet e BE-së.
Shtetasi N. A, do t’i dorëzohet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit me burgim, rreth 2 vjet.


