Babai kërcënon vajzën me thikë dhe më pas qëllon veten. Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e kësaj të premte në Qerret Durrës. Burimet pohojnë se Ardian Varrosi në gjendje të dehur ka kërcënuar vajzën e tij se do ta vriste me thikë, ndërkohë që më herët e kishte dhunuar.
Vajza ka arritur të shpëtonte duke dalë nga banesa dhe ka kërkuar ndihmë te fqinjët. Këta të fundit kanë rendur menjëherë në familjen Varrosi, atje ku kryefamiljari ka vijuar të kërcënonte edhe fqinjët.
Në vendin e ngjarjes mbërritën dy patrulla policore të cilat bënë të mundur shmangien e përshkallëzimit të situatës. Në momentet që policia mbërriti në vendin e ngjarjes, kryefamiljari është vetëqëlluar me thikë në qafë.
Ai është dërguar menjëherë në urgjencë ku po merr ndihmë mjekësore. Burime nga spitali i Durrësit pohojnë se gjendja shëndetësore e tij po mbahet në monitorim nga stafi mjekësor. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet e rastit.
Fillimisht janë marrë në pyetje familjarët dhe pritet që me stabilizimin e gjendjes shëndetësore të kryefamiljarit t’i merret edhe atij dëshmia.


