Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në konferencën e tij për mediat sot në 12 janar, foli sërish, për ato që quan afera të mëdha të korrupsionit të qeverisë.
Berisha shprehet se Durana Park në Durrës është një projekt, që fsheh korrupsion të madh.
“Jam këtu për skandalin e ri, që denoncoi Arben Ahmetaj, jam për parkun virtual të high tech, Durana Tech Park apo Troplanën e Shkozetit, një skandal i denjë për filmat më horror në gjininë e vjedhjeve të pasurive publike. Kthetrat e mafies shqiptare përvetësuan projektin dhe një kompani e madhe amerikane nuk investoi dot në vendin tonë. Pa që kishte të bënte me narko-mafie të pashembullt dhe këto fusha që shihni këtu janë Troplana e Edi Ramës. Vendimi u mor, zona u shpall dhe në zonë janë regjistruar 46 kompani, të cilësuara me silver, gold, platinium. Kompanitë i paguajnë shtetit një taksë prej 5 përqind, taksat e vërtetë ata janë ia paguajnë Edi Ramës nëpërmjet Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit. Këtu vidhen miliona euro në vit nga taksat e qytetarëve shqiptarë. Quhet park, por ka vetëm livadhe e vidhen paratë. Shqiptarët do i japin Ramës, atë që meriton. Gjurmët e krimit të çojnë dhe tek Elira Kokona”, tha Berisha.
I pyetur se çfarë strategjie ka opozita në protesta, Berisha deklaroi se Edi Rama duhet të largohet një orë e më parë nga pushteti. Për të, në krye të vendit është një organizatë kriminale.
“Strategjia e opozitës është largimi i Edi Ramës sa më parë nga pushteti. Ka besim të madh tek guximi, trimëria, ndershmëria e qytetarëve shqiptarë. Duhet të largojmë njëherë e mirë këtë organizatë kriminale, që drejton vendin dhe që mendon vetëm keq për të gjithë qytetarët. Betejën kundër korrupsionit e mbështet gjithë bota e lirë demokratike. Opozita ka dhe do të ketë mbështetjen më të fuqishme. Edi Rama ka dalë dhe kundër drejtësisë, por atë nuk do e largojë drejtësia, as SHBA-të, por qytetarët shqiptarë”, deklaroi kreu i opozitës.
Po ashtu, Berisha u ndal edhe tek protestat në Iran, duke thënë se mbështet Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në aksionet e saj për të dërguar lirinë kudo në botë.
“Kombi pers është në këmbë kundër një regjimi tepër të egër. Partia Demokratike mbështet betejën e opozitës iraniane. PD i bën thirrje SHBA-ve që të çlirojnë këtë vend nga tirania”, përmbylli Berisha.


