Tre persona kanë përfunduar në pranga pas një hetimi disa mujor të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve. Të arrestuarit janë një gardian, një i paraburgosur dhe një familjare e këtij të fundit.
“Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (SHKBB), pas një hetimi të thelluar disa-mujor të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka finalizuar me sukses një operacion kundër veprimtarisë kriminale në IEVP Elbasan. Në zbatim të urdhrit të ekzekutimit datë 22.01.2026, bazuar në vendimin nr. 784, datë 19.12.2025, u ekzekutua masa “Arrest me burg” ndaj tre personave nën hetim: N.K., punonjës policie në IEVP Elbasan E.K., familjare e një të paraburgosuri G.S., i paraburgosur në IEVP Elbasan”, njoftoi SHKBB.
Hetimi, i zhvilluar me metoda speciale, zbuloi një skemë bashkëpunimi për futjen e lëndëve narkotike në institucion me qëllim përfitimin financiar.
“Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. SHKBB dhe Ministria e Drejtësisë konfirmojnë angazhimin për zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit në sistemin penitenciar dhe ftojnë qytetarët të denoncojnë çdo shkelje në numrin e gjelbër pa pagesë: 044 20 40 20”, njoftoi SHKBB.


