Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) zhvillon këtë të mërkurë, më 10 dhjetor, seancën e radhës për dosjen e njohur si “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe tre persona të tjerë.
Seanca pritet të nisë në orën 12:30.
Seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës, Sokol Hazizaj dhe Vasilika Hysi.
Sjellim ndërmend se më 10 nëntor, GJKKO rrëzoi kërkesat paraprake të mbrojtjes së Berishës dhe Malltezit për pavlefshmërinë e akteve të administruara gjatë hetimeve.
Sipas vendimit të gjykatës, pretendimet e mbrojtjes u vlerësuan të pabazuara në ligj, duke theksuar se ndaj prokurores së çështjes, Irena Gjoka, nuk ekziston asnjë vendim që ndalon ushtrimin e detyrës së saj.
Gjithashtu, caktimi i ekspertëve për dosjen është kryer sipas procedurave ligjore.
Kujtojmë se Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë”, kryer në bashkëpunim, ndërsa Jamarbër Malltezi për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.
Dosja lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, që dikur ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes.
Hetimet e SPAK pretendojnë se ky proces është zhvilluar në mënyrë të paligjshme dhe ka sjellë përfitime të padrejta për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha.


