Gjatë bashkëbisedimit me demokratët, Basha ka theksuar se qëllimi i mazhorancës është që PD të dobësohet, por ai i siguroi ato, që pas zgjedhjeve të 13 qershorit, partia do të jetë më e bashkuar.

Ai ndër të tjera, theksoi se nuk i njeh zgjedhjet e 25 prillit, të cilën e cilësoi si ‘masakër zgjedhore’ e shtoi se nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me Edi Ramën, bashkëpunim ky që është kërkuar me ngulm nga kryeministri shqiptar kohët e fundit.

“Aleanca jonë ishte shumë më e madhe sesa koalicioni politik dhe u shtri me të gjithë grupet e interesit, u shtri me të gjithë shoqërinë.
Megjithatë dalja në betejë me njerëz të vlerave, me njerëz të sakrificave, nga themeluesit qendrestarët, e deri tek të rinjtë dhe të rejat, përballë njerëzve të korruptuar, njerëzve të lidhur me krimin do të mjaftonte. Do të mjaftonte programi, do të mjaftonte bashkimi dhe thellësia e këtij bashkimi, por në gjykimin tim vlera kryesore është sepse ata ku ju trokitët dhe ua hapën derën dhe na e dhanë votën, besuan sepse këtë nuk po e bënin për ne, s’po e bënin për karrigen time, s’po e bënin për karriget tuaja, por po e bënin për veten e tyre, për familjet e tyre, po e bënin për shqiptarët, po e bënin për Shqipërinë dhe ky besim nuk zbriti nga qielli. Dy vjet më parë flaka e shpresës për demokraci dhe për ndryshim në Shqipëri, në Tiranë, në lagjet e vjetra të këtij qyteti pothuajse ishte venitur, madje fikur.

Ne ditëm ta ndezim këtë flakë duke I provuar jo thjeshtë me fjalë, por me vepra, madje me sakrifica personale, se partia demokratike ka mbetur ajo që ka lindur, ka mbetur forca politike, familja politike që lufton jo për veten e saj, jo për kolltuqet e saj, por për Shqipërinë dhe për shqiptarët, të tillë kemi lindur me misionin për të sjellë demokracinë duke rrëzuar komunizmin, përmes sakrificave dhe punës vetëmohuese. Në këtë garë është normale, një nga vlerat që na diferencon me kundërshtarin që të ketë debate, të ketë konkurrencë, të ketë mendime të ndryshme, për gjithçka e në veçanti për kryetarin e partisë i cili ka përgjegjësi për drejtimin e partisë. I kam mirëpritur dhe mirëpres çdo kritikë dhe çdo qëndrim edhe kur janë të padrejta edhe kur janë të pa bazuara nuk i kam kthyer përgjigje por kam vendosur që t’i qëndroj mesazheve të mia për dy nga gjërat themelore për Shqipërinë sot.

Masakrën zgjedhore si evidencë e rënies së demokracisë dhe përballjen me të vetmin armik, me të vetmin kundërshtar që kam jo vetëm unë por çdo demokrat që është Edi Rama dhe regjimi i tij i korruptuar.

Në momentin kur vendi është pa zgjidhje, kur autori i masakrës i cili ka të gjitha pushtetet por tregohet me gisht nga çdo shqiptar dhe nga socialistët edhe nga nëpunësit e vet, si njeriu që e ka sjellë vendin në buzë të greminës, me zgjedhje pa zgjidhje, asnjë zgjidhje, asnjë mundësi zgjidhje. Në këto kushte, dy metodat e tij të diversionit, e para, na shtrin dorën për bashkëpunim të cilën e kam refuzuar në mënyrë finale, të prerë dhe dua ta përsëris këtu para jush, nuk ka dhe nuk mund të ketë bashkëpunim. Së dyti dhe më e rëndësishmja ka të bëjë me faktin që duhet të dalim nga kjo e dielë kaq të bashkuar sa jemi.

Baza është e bashkuar. Nxitimi, nguti i ndonjë mendje të turbulluar nuk mund të bëjë arsye për t’i rënë me shqelm sakrificës tuaj, sakrificës së demokratëve anembanë Shqipërisë. Ndaj i kam ftuar në Këshillin Kombëtar që nga dita e parë të gjithë që janë antarë të Këshillit Kombëtar, që pavarësisht mendimeve të ndryshme, apo diferenca për një gjë të jemi të bashkuar, dhe mos t’i shërbejmë Edi Ramës ta përdorë për një fije kashtë për tu kapur si i mbyturi dhe mas mos ta përdori si një vijë ndarëse për të krijuar një tjetër përçarje në gjirin tonë, si pikërisht tani kur jemi të bashkuar dhe duhet të jemi edhe më të bashkuar. 25 prilli ose është masakër zgjedhore ose është fitore e Edi Ramës dhe humbje e Partisë Demokratike. Të dyja bashkë nuk mund të jenë.

Ndaj në 13 qershor sigurisht vota është për kryetarin e Partisë Demokratike, fleta e votimit nuk është referendum për këtë pyetje, por për fat të keq po kthehet edhe në referendum për këtë pyetje. Se si do ti përgjigjemi kësaj pyetje përcakton rrugën, aksionin tonë politik dhe përcaktohen kohëzgjatjen dhe fatin e kësaj beteje, jo thjeshtë për ne, s’bëhet fjalë thjeshtë për ne, bëhet fjalë për Shqipërinë dhe shqiptarët deri në 25 prill na ndoqën dhe na besuan për 25 prillin. Deri në 25 prill shumicës i është mbivendosur përdhunshëm pakica dhe kjo s’është demokraci. Në 25 prill ka rënë demokracia. Ka rënë instrumenti i fundit për ndryshimin.

Tani beteja jonë e parë dhe kryesore është rikthimi i legjitimitetit, demokracisë në vend. Dhe përmes legjitimiteti dhe të demokracisë të jemi të sigurtë se shumica që na ndoqi në 25 prill dhe shumë të tjerë që deshën por i ndaluan do të bëjë masën kritike për të larguar këtë regjim plaçkitësish.

Nuk ka asnjë dyshim se me 25 prill janë përplasur dy botë që nuk kanë asgjë të përbashkët. Bota jonë është bota e vlerave, ata që kemi përballë janë antivlerat. Dhe sa më i madh behej Bashkimi ynë, aq më e madhe behej ankthi dhe frike e kundërshtarit për atë që e priste. Aq më shumë u shtrinë dimensionet e masakrës zgjedhore, aq më shumë u shtua katalogu i krimeve zgjedhore, nuk u la rregull pa shkelur, nuk u la ligj pa u dhunuar. Sa më shumë avanconim ne në këtë bashkim vlerash, aq më shumë tmerri nga verdikti popullor e shtyp drejt dhunimit dhe krimeve sistematike dhe drejt një masakre zgjedhore të tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve.

Ne kemi provuar para çdo shqiptari të kundërtën e asaj që thonë skeptikët, mendjelehtët apo cinikët. Se shoqëria shqiptare në fakt nuk është një shoqëri e antivlerave, se ajo nuk është e dorëzuar apo e krimbur deri në palcë nga fakti se ka 8 vite që drejtohet nga pushteti më harbut, më i korruptuar, më i inkriminuar që ka njohur ndonjëherë, se ajo është e etur për ndryshim dhe është e etur për njerëz që t’i prijnë këtij ndryshimi. Ndaj sot një muaj e pak ditë nga masakra e 25 prillit ne na duhet të marrim një vendim, një vendim I cili nuk është thjesht zgjedhja statutore e kryetarit me një aënëtar një votë. Këtë të diel pjesëmarrja dhe vota e gjithsecilit prej jush do të vendosë shumë më shumë se kaq.
Kundërshtari politik e ka të qartë se pavarësisht çdo mekanizmi që ka përdorur ne kemi dalë më të fortë e më të bashkuar.
Ai e di se 25 prilli njësoj si 31 marsi I 91-shit nuk ka sjellë asnjë zgjidhje për shqiptarët dhe se Shqipëria është në një kolaps dhe në një hon edhe më të thellë ekonomik, social dhe politik seç ishte para 25 prillit. Ai e di se për të gjithë shqiptarët përfshirë edhe socialistët tregohet me gisht si autori I kësaj masakre, si përgjegjësi për këtë situatë. Dhe gjëja e parë që duhet të bëj është ta ndaj këtë përgjegjësi me ne. Kjo është domethënia dhe kuptimi i vetëm i shtrirjes së dorës për bashkëpunim kur dorën tjetër e ka shtrirë për të goditur siç po i godet ditë për ditë demokratët anembanë Tiranës, anembanë Shqipërisë.

Ndaj ka qenë e domosdoshme për mua dhe në gjykimin tim për këdo që ka çfarëdo përgjegjsie politike në partinë tonë, në familjen tonë politike të jemi të qartë për dy gjëra.
Është përgjegjësia e çdokujt që ve interest e Partisë Demokratike mbi interesat personale dhe kësisoj i bën shërbim jo vetëm PD-s por Shqipërisë që të refuzojmë në mënyrë të prerë dhe kategorike njohjen emasakrës zgjedhore dhe të themi të gjithë së bashku nuk e njohim dhe nuk e pranojmë tjetërsimin masiv dhe kriminal të vullnetit të shqiptarëve me 25 prill. 25 prilli nuk është ditë e demokracisë, nuk është ditë e shumicës, është dita ku përkohësisht pakica kriminale i është mbivendosur shumicës dhe vullnetit të saj. Dhe rrjdhimisht nga ky konkluzion refuzojmë me neveri çdo përpjekje për t’u bërë pjesë e kësaj masakre siç do të bëheshin nëse do të rroknim dorën e kryeautorit dhe arkitektit të masakrës, të njeriut që ka goditur themelin e bashkëjetesës tonë, të njeriut që i ka shkaktuar Shqipërisë rënien e përkohëshme të demokracisë.

Ndaj edhe përgjigja ka qenë, është dhe do të mbetet një jo e prerë dhe finale. I vetëdijshëm për këtë, i vetëdijshëm për forcën tonë, i vetëdijshëm për faktin që ditëve të tronditjes, të zhgënjimit, të mosbesimit njësoj si në 31 marsin e 91-shit dalëngadalë po i lënë vend zemërimit, jo vetëm i demokratëve por zemërimi popullor.
Edi Rama po përpiqet tashmë që i kanë rënë përpjekjet e vjetra për të na përçarë, të mbjellë një tjetër fidan përçarje mes nesh me të cilin mundësisht të merremi nga mëngjesi deri në darkë, duke u marrë me vetveten, me njëri-tjetrin, me shoqi shoqin, kë keni në krah, në vend që të fokusojmë të gjithë energjinë dhe gjithë bashkimin tonë përballë të vetmit kundërshtar dhe të vetmit armik që kemi ne demokratët, që kanë shqiptarët dhe që ka Shqipëria, që është regjimi i tij dhe i Tom Doshit me shokë. Dhe kjo përçarje po mbillet në mënyrën më perfide, por ne duhet ta refuzojmë dhe do ta refuzojmë sepse për fat të mirë ku kam qenë në Shqipëri, nga jugu në veri, në çdo degë që kam vizituar dhe në çdo degë që do të vizitoj deri të premten, jam i bindur që do të shoh të njejtën gjë që po shoh dhe këtu.

Baza demokrate është e bashkuar, është pa dilema sepse keni qenë vetë pjesëmarrës në këtë fushatë.
Ndaj dhe thirrja ime që prej ditës së parë të nisjes së këtij procesi ka qenë, le ta bëjmë këtë garë që në fakt është një vlerë e shtuar e familjes tonë, ashtu siç duhet, në respekt të plotë të rregullave dhe të manifestojmë para të gjithë qytetarëve shqiptarë edhe përmes kësaj gare sepse ne dhe vetëm ne jemi shpresa për demokraci në vend, ne dhe vetëm ne jemi familja e vlerave të vërteta në këtë vend.
Por nga ana tjetër le të refuzojmë çdo nxitim, çdo ngutje të çdo mendje të turbulluar për të gjetur arsye që ti bjerë me shkelm sakrificës së demokratëve apo të cënojë ato që kemi ndërtuar së bashku me kaq sakrifica duke ngritur dilema të paqena sepse me të vërtetë dorëzimi para këtyre dilemave është fija e kashtës ku dëshiron të kapet i mbyturi i 25 prillit.

Ne duhet ta refuzojmë me vendosmëri sepse vetëm kështu do të bëjmë të mundur që fuqinë dhe bashkimin dhe energjinë që akumuluam në këtë betejë ta vëmë në dobi të atyre që sytë i kanë nga ne. Të atyre që sot presin nga ne së pari rikthimin e më të shtrenjtës që mund të ketë njeriu, dinjitetit dhe dinjiteti është vota. Dinjiteti është liria për të votuar, dinjiteti është demokracia. Ndaj dhe beteja drejt të cilës ju ftoj, ju kërkoj të vazhdojmë është beteja për rikthimin e legjitimitetit, është beteja për demokraci.

Padiskutim të vetëdijshëm për arritjet dhe fuqinë që kemi grumbulluar përmes vlerave që sapo përmenda duhet të jemi po ashtu të gatshëm edhe për të parë brenda vetes dhe për të përmirësuar ato që kemi në dorën tonë për të përmirësuar. Duke i bërë këto të dyja jam i bindur se ju demokratët e degës 9 sikundër demokratët e Tiranës dhe Shqipërisë anë e mbanë, jo vetëm do të mbani ndezur shpresën flakën e të cilës, flakën e venitur të cilëson e ndezët me pasionin e zemrave tona por do të projektoni te çdo shqiptarë forcën që ne kemi dhe që nuk na e merr dot askush jo vetëm për tu përballur por për t’ia shkurtuar ditët këtij regjimi një orë e më parë”, tha Basha.