Këtë të premte, më 7 nëntor, po zhvillohet gjyqi ndaj dy të dyshuarve Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe për atentatin ndaj ish-prokurorit Arian Ndoja dhe Aleksandër Lahos (të njohur si Rrumi i Shijakut), ngjarje ku humbi jetën shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku.
Raporton se në seancën e sotme pritej të paraqiteshin tre dëshmitarë, por asnjëri prej tyre nuk është gjetur në banesë. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i bëri kërkesë gjykatës që të bëhet leximi i deklarimeve të tyre, të dhëna në fazën e hetimeve paraprake.
Kështu, në seancën e sotme u lexua dëshmia e të miturve, të cilët kanë parë makinën tip “Mercedes-Benz” që u përdor për atentatin. Po ashtu, në seancë foli edhe Laho, i cili ka treguar se çfarë ka qenë duke bërë përpara se t’i bënin atentat.
“Jam i papunë, jetoj jashtë shtetit në Gjermani, më parë e kam pasur emrin Pëllumb Muharremi. Unë çdo ditë shkoj në Durrës. Më 1 nëntor 2019, shkova me S.M-në dhe A.B-në te lokali X në plazh, për të ngrënë drekë. Në lokal kam ngrënë drekë. Më pas janë larguar dy të tjerët që ishin në tavolinë. Në lokal kemi qëndruar për rreth dy orë. Më pas kemi dalë dhe jemi larguar, dhe Ariani më kërkoi që të shkoja me makinën e tij deri në Sukth. Ngjarjen nuk e mbaj mend, për shkak edhe të gjendjes shëndetësore. Deklarime më të zgjeruara do t’i jap para prokurorit të çështjes. Unë s’e njoh A.H-në. Pasi pashë pamjet filmike, i dalloj personat, por nuk i identifikoj dot.”
Ndërkohë, një nga të dyshuarit për atentatin, Plarent Dervishaj, tha: “Unë e dëgjova zotin prokuror që tha, të vijnë dëshmitarët në gjyq dhe të japin shpjegimet këtu dhe ta shohin nëse jam unë apo nuk jam unë, apo bashkëvuajtësi im. Në bazë të dëshmisë që ka dhënë Aleksandër Laho, zoti prokuror, i besoni asaj dëshmie apo jo? Sikur nuk shkojnë këto gjëra, janë kontradiktore?”
Ndërkohë, i akuzuari tjetër, Julian Meçe, shtoi: “Unë këtu po shikoj dhe dëgjoj dëshmitarë që nuk kanë lidhje fare me gjykimin tim. E nderuar, më datë 1 nëntor më ka arrestuar policia, s’më ka gjetur faktor plotësues, asgjë. Sinqerisht, nuk ju kuptoj.”
Në seancën e radhës, prokurori kërkoi të pyeten të dy të pandehurit që janë në proces gjykimi, Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe, dhe po ashtu edhe të bashkëpandehurit në një procedim të lidhur, të cilët janë gjykuar në procese të tjera për të njëjtën çështje.
Sjellim ndërmend se ngjarja e rëndë ndodhi më 1 nëntor 2019, rreth orës 16:00, ku në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, persona të armatosur të cilët po udhëtonin me një automjet Benz, ngjyrë gri, kanë qëlluar më armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonin shtetasit Andi Maloku, Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho.
Nga të shtënat, të tre personat kanë marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë ka gjetur vdekjen në spital shoferi Andi Maloku, kurse ish-prokurori Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho, kanë marrë plagë me armë zjarri dhe i janë nënshtruar mjekimit në spital.


