Një vit pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për ngritjen e qendrave për migrantë, opozita italiane ka zhvilluar një vizitë inspektuese në terren, duke e cilësuar projektin si “surreal”, “të dështuar” dhe “tejet të kushtueshëm”.
Sekretari i partisë +Europa, Riccardo Magi, së bashku me deputetët e Partisë Demokratike, Matteo Orfini dhe Rachele Scarpa, vizituan të dy qendrat, në Gjadër dhe Shëngjin.
Aktualisht, vetëm një pjesë e qendrës së Gjadrit është funksionale, ajo për riatdhesimet, ku ndodhen vetëm 25 persona, të transferuar ditët e fundit nga qendrat e qëndrimit në Itali (Torino dhe Macomer). Ndërkohë, qendra në Shëngjin mbetet e mbyllur.
“Është një projekt pa kuptim, që na ka kushtuar pothuajse një milion euro për çdo migrant”, deklaroi Magi. Ai tregoi se ndër të ndaluarit kishte njerëz që kishin jetuar në Itali për vite me radhë, por pas humbjes së punës kishin përfunduar në qendrat e emigrantëve dhe tani ndodhen në Shqipëri “pa asnjë arsye të qartë”.
Gjatë vizitës, deputetët raportuan 95 raste të vetëlëndimeve që nga fillimi i marrëveshjes, 20 vetëm nga korriku e këtej.
Një migrant tha se kishte gëlltitur dy tehe brisku, në shenjë proteste, ndërsa një tjetër kishte tentuar vetëvrasje. Përveç kësaj, migrantët denoncuan përdorimin e tepruar të psikofarmakëve, si Rivotril dhe Tavor.
“Vuajtja këtu është e jashtëzakonshme”, shtoi Magi. “Nuk më vjen keq që qendra është pothuajse bosh, ka më shumë policë se sa të ndaluar. Edhe ato pak riatdhesime mund të ishin bërë direkt nga Italia”.
Deputetja demokrate Rachele Scarpa e quajti projektin “një monument të shpërdorimit, propagandës dhe çnjerëzores”.
Ajo theksoi se që nga prilli 2025, kur qendra në Gjadër nisi funksionimin si Cpr (qendër për riatdhesime), aty kanë kaluar rreth 220 persona, ndërsa ishte planifikuar të priste 3,000 individë në muaj.
Shumica janë rikthyer në Itali për shkak të mospërputhjes ligjore ose mungesës së kushteve mjekësore.
Shumica e riatdhesimeve kryhen gjithsesi përmes Italisë, duke e bërë projektin të panevojshëm.
“Bilanci është i qartë, ky është një operacion pa asnjë vlerë konkrete, përveçse për propagandë”,


