Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kosova u kritikua për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe për mospërfillje të ndikimit të saj te minoriteti serb në Kosovë. Megjithatë, ajo u vlerësua për periudhën e tranzicionit që ka premtuar për zbatimin e kësaj rregulloreje. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit kërkuan që Kosova dhe Serbia të përkushtohen në dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet, si dhe të përmbahen nga veprime të njëanshme që mund të rrisin tensionet. Serbisë po ashtu iu kërkua që të mbajë përgjegjës të përfshirët në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.
Në mbledhjen në OKB, të thirrur nga Serbia, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrojti vendimin e BQK-së, që parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa – duke ndaluar përdorimin e dinarit. Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi këtë vendim si “sulm” ndaj popullatës serbe në Kosovë.
Kurti tha se rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme, që hyri në fuqi më 1 shkurt, nuk ndalon dinarin serb, por bën që euroja të jetë valuta e vetme për pagesa.
“Çdo sugjerim tjetër, nuk është asgjë tjetër pos propagandë e rreme që ka për synim të nxisë tensione etnike”, tha Kurti.
Në vendbanimet ku jetojnë serbët në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar që nga paslufta. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.
“Qëllimi përfundimtar i të cilave [masave] është që në fund të krijojnë kushte të padurueshme jetese dhe të dëbojnë serbët nga territori [i Kosovës]”, tha Vuçiq.
Kurti tha se BQK-ja i ka dërguar një letër Bankës Popullore të Serbisë, duke i propozuar një marrëveshje. Kryeministri kosovar insistoi se vendimi për dinarin nuk synon të dëmtojë asnjë grup të qytetarëve, por sipas tij, ai mbron të gjithë qytetarët e çdo etnie nga krimi i organizuar, trafikimi i armëve dhe pastrimi i parave.
Sipas Kurtit, qytetarët në veri të Kosovës, përditë po kërcënohen nga grupet kriminale që pranojnë para të kontrabanduara kryesisht nga kufiri me Serbinë.
“Qytetarët tanë serbë përballen me frikësim nga grupet kriminale që diktojnë veprimet e tyre nga protestat deri te votimi. Mosbindja rezulton në dhunë, djegie të veturave apo kërcënime të anëtarëve të tyre të familjes. Kjo duhet të ndalojë. Beogradi nuk duhet të lejohet që pafundësisht të financojë këta kriminelë dhe terroristë në Kosovë me dërgesa të padeklaruara të parave, që qarkullojnë lirshëm dhe në mënyrë të paligjshme për në shtetin tonë. Ky është burimi i histerisë së Beogradit për këtë rregullore bankare”, tha Kurti.
“Me vendimin për ndalimin e transaksioneve të pagesës me dinarë, regjimi i Prishtinës drejtpërdrejt pamundëson çdo funksionim të të gjitha institucioneve mjekësore, arsimore, sociale, kulturore dhe të institucioneve tjera që u mundësojnë serbëve për t’i siguruar vetes dhe familjeve të tyre dispozitat themelore për të pasur arsim, për të marrë trajtim mjekësor, për të blerë medikamente”, tha Vuçiq.
Si Vuçiq, ashtu edhe përfaqësuesit e Rusisë dhe Kinës – shtete aleate të Serbisë – akuzuan Kosovën se me vendimin e dinarit, por edhe vendime të tjera, sikurse mbyllja e komunave që funksionojnë sipas sistemit serb, po kryejnë “spastrim etnik” ndaj serbëve në Kosovë.
Rusia, madje, tha se mund të ketë shpërthim të një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor, përderisa tërhoqi paralele mes situatës së palestinezëve në Gazë dhe serbëve në Kosovë.
“Ideja se Kosova po kryen një fushatë spastrimi etnik apo përndjekje kundër komunitetit serb, është një gënjeshtër”, iu përgjigj Kurti ndaj këtyre akuzave.
Gjatë mbledhjes, shtete të ndryshme, sikurse Franca, Mbretëria e Bashkuar, Sllovenia si dhe Shtetet e Bashkuara, u bën thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield, përsëriti kërkesën e shtetit të saj që Kosova të pezullojë zbatimin e vendimit të BQK-së.
“Vendimi është marrë pa përgatitjen e duhur apo konsultime me popullatën lokale. Ne edhe një herë kërkojmë që zbatimi i rregullores të pezullohet derisa të ndërmerren të gjitha procedurat në linjë me standardet evropiane dhe praktikat e qeverisjes së mirë, dhe që popullata e prekur të informohet mirë për procesin”, tha ajo.
Ambasadorja Thomas-Greenfield, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të mos ndërmarrin veprime përshkallëzuese dhe t’i kthehen dialogut.
“Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara dhe përshkallëzuese dhe u bëjmë thirrje të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, që SHBA-ja vazhdon ta mbështesë fuqishëm”, tha ajo.
Ambasadorja amerikane u ndal edhe te sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i armatosur serbësh sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor. Gjatë përleshjeve që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
“Katër muaj kanë kaluar që nga sulmi dhe Serbia ende nuk ka mbajtur përgjegjës të përfshirët në planifikimin dhe ekzekutimin [e sulmit në Banjskë]. Lideri i vetëshpallur i sulmit është i lirë në Serbi”, tha Thomas-Greenfield.
Sa i përket Banjskës, Vuçiq tha se Serbia ka nisur procedurat hetimore dhe se do të ketë aktakuza ndaj personave përgjegjës.
Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, të cilin e konsideron terrorist, dhe ka kërkuar edhe që Serbia të ekstradojë në Kosovë Radoiçiqin, i cili ka qenë nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – në kohën e sulmit, por që njoftoi dorëheqjen nga kjo parti në ditën kur mori përgjegjësinë për sulmin.