Ministria e Jashtme e Danimarkës ka njoftuar se do të hapë ambasada të reja në disa vende, për të forcuar praninë dhe interesat e saj ndërkombëtare në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme. Një nga vendet ku Danimarka do të ketë një përfaqësi të re diplomatike është Shqipëria, në vitin 2026.
Ministri danez për Punët e Jashtme, Lars Løkke Rasmussen, theksoi se hapja e ambasadës në Tiranë do të mundësojë mbështetjen e aspiratave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe forcimin e qëndrueshmërisë së vendit, përfshirë mbrojtjen nga ndikime të dëmshme të jashtme.
- “Bota po ndryshon me shpejtësi. Kjo sjell sfida të reja, por edhe mundësi të mëdha. Duhet të kemi një shërbim të jashtëm të fortë dhe modern, të pranishëm në vendet ku janë të rrezikuara interesat tona kryesore”, deklaroi Rasmussen.
Vendimi i Danimarkës reflekton edhe ambicien për të ndërtuar partneritete të reja në rajon dhe për të forcuar bashkëpunimin politik dhe ekonomik me Shqipërinë.


