Çmimet u rritën në shkurt, inflacioni arriti nivelin më të lartë në shtatë muaj. Inflacioni u rrit në muajin shkurt, duke arritur nivelin më të lartë në shtatë muajt e fundit.
Sipas të dhënave nga INSTAT, inflacioni arriti në 2.5%, nga 2.3% që kishte qenë për janarin. Inflacioni ka shënuar një rritje të ndjeshme edhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur shënonte nivelin 1.9%.
Rritja vjetore e çmimeve në shkurt 2026 u ndikua kryesisht nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 5.3%, pasuar nga “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4.3%, “Argëtim, sport dhe kulturë” me 4.2%, “Restorante dhe shërbime akomodimi“ me 2.4%, “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 2.3%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 2.2% secili, “Shërbimi arsimor” me 1.9%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1.7%.
Sipas kontributit në inflacion, rritja vjetore e çmimeve në muajin shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me +1.06 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0.60 pikë përqindje.
Gjithashtu, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0.15 pikë përqindje, çmimet e grupit “Restorante dhe shërbime akomodimi” ndikuan me +0.13 pikë përqindje, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0.11 pikë përqindje, çmimet e grupit “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me +0.10 pikë përqindje, çmimet e grupit “Argëtim, sport dhe kulturë” me +0.08 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Shërbimi arsimor” dhe “Sigurime dhe shërbime financiare” me +0.06 pikë përqindje secili, çmimet e grupeve “Transporti” dhe “Informacioni dhe komunikimi” me +0.03 pikë përqindje secili, çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” me +0.02 pikë përqindje secili.
Në projeksionet e saj për inflacionin, Banka e Shqipërisë ka parashikuar një rikthim të tij pranë objektivit prej 3% në gjysmën e parë të këtij viti.
Megjithatë, lufta në Lindjen e Mesme dhe rritja e shpejtë e çmimeve të naftës po sjellin skenarë të rinj për inflacionin. Nëse rritja e çmimeve të naftës do të jetë e qëndrueshme, një rritje e inflacionit gjatë muajve të ardhshëm do të jetë e paevitueshme. Zhvillimet e reja pritet të sjellin një rishikim të projeksioneve të inflacionit, por edhe një kurs të ri të politikës monetare.
Aktualisht, norma bazë e interesit në Shqipëri është në nivelin 2.5%, por skenarët e rinj inflacionistë mund të sjellin një rritje të normave të interesit më shpejt nga sa parashikohej.


