20.5 C
Tirana

Çela: Gjatë 2024 përfunduam 24 591 çështje, u sekuestruan mbi 234 pasuri

Më datë:

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela raportoi sot në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale si dhe në Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Administratën Publike, mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2024.

Gjatë fjalës së tij, Çela theksoi se ka pasur një rritje të procedimeve penale me 4,79% në krahasim me vitin 2023.

“Gjatë vitit 2024 në organin e prokurorisë janë trajtuar 61 167 materiale në shqyrtim, që përbën një rritje prej 10,52% në krahasim me vitin 2023. Janë ndjekur gjithsej 47 576 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 4,79% në krahasim me vitin 2023, nga të cilat: 24 956 janë procedime penale të regjistruara, 22 441 janë procedime penale të mbartura dhe 179 janë procedime penale të rifilluara”, tha Çela.

Sipas Çelës, numri më i madh i procedimeve penale rezulton në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë, me rreth 35,5% të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi.

Sa i përket tendencave të kriminalitetit, Çela tha se “procedimet për veprat penale kundër pastrimit të parave, tregojnë rritjen më të lartë prej gati 59%, ato për falsifikim të monedhave dhe letrave me vlerë 48%, krimet në fushën e doganave afër 40% si dhe veprat penale në lidhje me veprimtaritë bankare dhe financiare mbi 33%”.

Çela shtoi se ka një rritje të procedimeve të regjistruara edhe për krimet kundër jetës të kryera me dashje, me 21,72%; për veprat kundër lirisë së personit 30,59%; për krimet seksuale gati 30%; për veprat penale kundër moralit dhe dinjitetit pothuaj 29%; për veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes rreth 18%.

“Rritja e numrit të procedimeve në këto fusha, dikton nevojën për ndërhyrje të koordinuara për forcimin e mekanizmave ligjorë dhe socialë të parandalimit, si dhe nevojën për të garantuar mbrojtjen efektive të kategorive vulnerabël të shoqërisë”, tha Çela.

I ndalur tek eficienca në hetimet paraprake dhe ndjekjen penale, Çela tha se gjatë vitit 2024 janë përfunduar 24 591 çështje, që përbën rritje prej 5% të çështjeve të përfunduara krahasuar me vitin 2023, prej të cilave: 36,72% janë dërguar për gjykim (janë dërguar në gjykatë 9030 çështje me akuzë ndaj 10 759 të pandehurve), 33,89% janë pushuar, 26,91% janë pezulluar.

“Ka një tendencë të rritjes së çështjeve të pushuara në krahasim me vitin paraardhës për shkak të zbatimit të ligjit ‘Për amnistinë’”, shtoi Çela.

Sipas Çelës janë paraqitur në gjykatë 13062 kërkesa lidhur me masat e sigurimit personal.

Çela tha më tej se gjatë vitit 2024 nga prokuroritë pranë gjykatës të shkallës së parë është ngritur dhe përfaqësuar akuza në gjykatë në emër të shtetit shqiptar për 9052 procedime penale me 10 781 të pandehur.

Në lidhje me vendimet e gjykatës, Çela tha se nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2024 janë dënuar 10 001 të pandehur, që krahasuar me vitin 2023 përbën rritje me 37,87% të numrit të të pandehurve të dënuar dhe për 265 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm.

Çela tha se evidentohet se në vitin 2024 janë filluar kryesisht 155 procedime penale që përbën rritje 12,32% të numrit të procedimeve të filluara kryesisht krahasuar me vitin 2023.

Më tej Çela theksoi se prokurorët kanë rritur rolin aktiv për veprat penale të korrupsionit dhe ato që lidhen me detyrën duke filluar kryesisht 19 procedime penale dhe në kryerjen e hetime proaktive, në 34 procedime penale.

Çela shtoi gjithashtu se nga një analizë e kryer mbi të dhënat e përcjella nga prokuroritë dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara gjatë vitit 2024, rezultojnë mbi 234 pasuri të sekuestruara në total me vlerë të përcaktuar mbi 290 milionë lekë dhe 48 milionë euro.

Sa i përket procesit të dekriminalizmit, Çela tha se gjatë vitit 2024 janë përfunduar 77 procese për verifikim të thelluar, nga të cilat 39 vendime janë procese të regjistruara gjatë vitit 2024 dhe 38 vendime janë procese të mbartura nga vitet 2017-2023.

I ndalur te zbatimi i hartës së re gjyqësore dhe përmirësimi i infrastrukturës për rritjen e eficiencës në prokurori, Çela tha se Prokuroria e Përgjithshme ka vazhduar koordinimin me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Ministrinë e Drejtësisë për zgjidhjen e çështjeve në drejtim të infrastrukturës.

“Ka përfunduar detyra e projektimit në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorinë Tiranë, për ndërtimin e një godine të re akomodimi për të gjitha institucionet e sipërcituara.

“Së bashku më Këshillin e Lartë Gjyqësor i kemi drejtuar një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për sigurimin e një sheshi ndërtimi, në mënyrë që të vijohet me hartimin e projektit, por si çështja e terrenit dhe e financimit mbeten ende të pazgjidhura, ndërkohë që nevoja për marrjen e masave konkrete është tejet urgjente”, tha Çela.

Çela shtoi se gjatë vitit 2024 përfundoi me sukses rikonstruksioni i Prokurorisë Dibër, që ofron tashmë hapësira të mjaftueshme për ushtrimin normal të aktivitetit.

“Gjatë vitit 2025 do të përfundojnë investimet në prokuroritë Fier, Gjirokastër, Vlorë dhe Durrës, ku janë zgjeruar ambientet në këto prokurori në zbatim të marrëveshjes me KLGJ dhe Ministrinë e Drejtësisë. Edhe pas këtyre masave, problem do të vijojnë të mbeten Prokuroria Durrës dhe ajo Sarandë, ku ambientet ekzistuese janë të pamjaftueshme, nëse do të plotësoheshin organikat”, tha Çela.

Sipas Çelës, problem urgjent që mbetet për t’u zgjidhur është ai që lidhet me arkivat, ku situata vazhdon të rëndohet, edhe pse nga ana e institucionit janë marrë masa administrative në këtë drejtim.

Sa i përket sistemit të menaxhimit të çështjeve, gjatë vitit 2025, Çela shtoi se do të nisë puna për ngritjen e tij me fonde të BE, proces i cili do të përfundojë në vitin 2028.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Hyjnë në fuqi tarifat e Trump për drurin dhe mobiliet, preken dhe tregtarët e Kosovës

Tarifat e reja të presidentit të SHBA-së, Donald Trump,...

IKMT heq 290 objekte pa leje pranë aeroportit “Nënë Tereza”

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) është përfshirë...

Protesta e minatorëve të Spaçit, Braçe dhe Tabaku: Greva është legjitime

Rreth 70 minatorë të minierës së kromit në Spaç...

Formimi i qeverisë së re në Kosovë, Kurti: Ende s’kam arritur të zhvilloj diskutime

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ende...