Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, monitoroi sot nga afër situatën e krijuar nga moti i keq, në zonën e urës së Mifolit.
Në një prononcim për mediet, Çako tha se prej 24 orësh po monitorohet situata. Sipas tij, niveli i ujit në lumin Vjosa është në “pikë alerti, 7.1 në matjen meteorologjike, e cila krijon risk të shtuar”.
Çako theksoi se “jemi në varësi të prurjeve që vijnë nga Vjosa nga Tepelena dhe Përmeti. Është monitoruar gjatë gjithë natës”.
“Ka pasur një intensitet të shtuar dhe të lartë Vjosa në kufij me Greqinë, pasi ka pasur reshje shumë intensive dhe në zonën tonë dhe në atë të vendit fqinj. Ka një rënie për momentin në matjet në Përmet dhe Tepelenë. Gjithashtu baseni është i tejmbushur dhe presim të ketë një stabilitet për të mos kaluar jashtë parametrave”, tha ai.
Çako tha se në këto rrethana të gjithë banorët që ekspozohen apo kanë rriskun e shtuar janë njoftuar nga njësitë e pushtetit vendor.
“Janë marrë masat edhe për t’ju ardhur në ndihmë në rast se do të dalë e domosdoshme për t’u evakuuar. Prioritet është jeta e qytetarëve dhe më pas, pasuria, blegtoria apo edhe gjithçka tjetër që lidhet me jetën normale të tyre”, tha Çako.
Çako u shpreh se deri tani nuk ka banesa atë prekura pasi Lumi Vjosa është nën kontroll në zonën e vet.
Kreu AKMC-së shtoi se janë tre banesa që janë të vendosura nën këmbët e Urës së Mifolit, banorët e cë cilës janë larguar.
“Janë marrë masa, parashikimi është se do të ketë reshje në shkallë vendi. Dita e katërt që ne vazhdojmë të monitorojmë reshjet intensive që kanë prekur zonat nga veriu në jug. Ka pasur problematika në Lezhë, në Berat, në Delvinë në zonën e Sarandës e në pjesë të tjera”, tha Çako.
Çako u shpreh se është “investuar në të dyja krahët e Vjosës, ky është edhe faktori që ne jemi në një mundësi monitorimi të shkarkimit të Vjosës dhe nuk kemi akoma probleme”.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se në urën e Mifolit jane angazhuar të gjitha strukturat në nivel vendor dhe qendor, në gatishmeri deri në uljen e alertit.


