Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për 32-vjeçarin, i cili përplasi për vdekje 17-vjeçarin dy ditë më parë në Vlorë.
Ai akuzohet për “drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Mësohen se në sallën e gjyqit, shoferi ka kërkuar falje.
Gjithashtu pranë ambienteve të gjykatës ka pasur prezencë të familjarëve të të ndjerit
Daja i viktimës, shtetasit L.Sh., në një prononcim për mediat tha se kërkon ashpërsim të ligjit për autorin.
Ai tha se autori nuk ka kryer veprën e “shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor”, por “vrasje me dashje”.
“Kërkoj që të ashpërsohet ligji. Kjo nuk është shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor, por është vrasje me dashje”, tha daja.
Aksidenti ndodhi më datë 28 tetor, ku 32-vjeçari përplasi për vdekje adoleshentin, që po udhëtonte me motor.
“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin H. B., 32 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 28.10.2025, rreth orës 00:15, në bulevardin “Ismail Qemali”, duke drejtuar automjetin tip “Porsche”, në gjendje të dehur, është përplasur me motomjetin tip “Trinity”, me drejtues një shtetas të mitur, 17 vjeç, i cili si pasojë, ka ndërruar jetë”, njoftoi policia më 28 tetor.


