Një alarm është lëshuar në Britaninë e Madhe, ndërsa pasojat e stuhisë ”Claudia” vazhdojnë, me më shumë shira dhe përmbytje që priten sot në pjesën më të madhe të Anglisë dhe Uellsit.
Një paralajmërim i verdhë për motin me shi që ka përfshirë Anglinë qendrore dhe veriore, Jugperëndimin dhe Uellsin skadoi në orën 06:00 (06:00 GMT).
Por, Uellsi ka lëshuar katër paralajmërime të rënda përmbytjesh, pas kësaj ore, që do të thotë se ka rrezik të konsiderueshëm për jetën dhe priten ndërprerje të konsiderueshme (trafiku ose energjie) për komunitetin.
Ekipet e shpëtimit po punojnë së bashku me policinë e Gwent, Shërbimet e Ambulancës Uellsiane NHS Trust (WAST), SARA, Rojën Bregdetare dhe shërbimet fqinje të zjarrfikësve dhe shpëtimit për të kryer kontrolle, evakuime apo shpëtime.
Sipas Zyrës Meteorologjike, shiu i pjesshëm dhe shiu i imët do të vazhdojnë në të gjithë Anglinë dhe Uellsin, ndërsa Irlanda e Veriut dhe Skocia mund të presin kushte më të thata dhe ndoshta edhe disa periudha me diell.
Më shumë se 90 paralajmërime për përmbytje – që do të thotë se priten përmbytje – ishin në fuqi sot në mëngjes, sipas Agjencisë së Mjedisit.
Sipas Zyrës Meteorologjike, shiu ka të ngjarë të përkeqësojë përmbytjet, veçanërisht në pjesë të Anglisë lindore dhe të Irlandës së Veriut.
Reshjet e dendura do të zëvendësohen shpejt nga një valë të ftohti, që do të fillojë nga sot, çka mund të sjellë dëborë dhe shi në brigjet dhe kodrat veriore.


