Në një nga qytezat e vogla angleze janë bërë homazhet për viktimat e sulmit me natyrë terroriste të fundjavës.
Autori mësohet se po hetohej nga shërbimet informative por nuk shfaqte rrezikshmëri konkrete.
Një sulm për motive terroriste që la të vrarë të shtunën të paktën tre persona në Britaninë e Madhe mendohet se nuk është koordinuar me persona të tjerë, veç autorit.
I dyshuari i sulmit, 25-vjeçari nga Libia, Kairi Sadallah, u arrestua pak minuta pas ngjarjes tragjike dhe mbahej nën vëzhgim nga shërbimet informative të vendit.
Më herët ai besohet se po kërkonte të udhëtonte jashtë vendit me synime të dyshimta por informacionet e para nuk kishin lënë shkak për hetime të mëtejshme.
Të hënën, u zhvilluan ceremonitë mortore dhe homazhet për tri viktimat e sulmit të fundjavës, mes tyre edhe një shtetas amerikan.
Ata u qëlluan me thikë pa dallim nga autori teksa kishin dalë në një nga parqet e qytezës së vogël angleze të Ridingut.
Banorë të qytezës, studentë dhe personalitete të larta politike vendosën kurora me lule dhe mbajtën një minutë heshtje.
E pranishme ishte edhe ministrja britanike për punët e Brendshme, Priti Patel, që kërkoi të nxirren mësime që ngjarja të mos përsëritet.
“Të gjithë duhet të qëndrojmë në gatishmëri, të hapim sytë ndaj rreziqeve që na rrethojnë por edhe të reagojmë në mënyrën dhe me ndërgjegjen e duhur se në cilën shoqëri jetojmë.”
Ndërsa motivacioni i sulmit nuk është bërë i qartë, autoritetet vazhdojnë marrjen në pyetje të autorit 25-vjeçar.
Fundvitin e kaluar Britania e Madhe uli nivelin e gatishmërisë ndaj rrezikut të sulmeve terroriste, por që atëherë është goditur nga dy incidente që kanë terrorizuar vendin, ku sërish armët e ftohta u përdorën për të vrarë disa personave, duke u kushtuar jetën edhe autorëve të tyre.
Kryeministri britanik, Boris Xhonson, ka paralajmëruar ndryshime ligjore më të ashpra për të ndalur në kohë aktivitetet terroriste.