Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe kërkoi sot në Kuvend që 15 miliardë lekë të mbetura pa shpenzuar nga buxhetit 2025 të shkojnë për dëmshpërblimin e bujqve nga përmbytjet.
Gjatë diskutimit në Kuvend të Aktit Normativ për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, Braçe u shpreh se dëmet nga përmbytjet për bujqit janë të mëdha.
“Paratë që shkojnë për pensionistët bëjnë mirë që shkojnë atje. Nëse nga 30 miliardë lekë që është deficiti i parealizuar, 15 miliardë lekë do të shkojnë në llogarinë e Bankës së Shqipërisë për pensionet, unë propozoj që 15 të tjera të shkojnë për të shlyer bujqit. Është një ekonomi e tërë e dëmtuar që nuk mund të vazhdojë më tutje pa para. Për 1 dynym janë 12.5 milionë lekë dëm, mendojeni vetë se sa toka dhe serra janë përmbytur”, tha Braçe.
Në këtë drejtim, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla sqaroi se qeveria qendrore dhe ajo vendore po bëjnë vlerësimin në territor të këtyre dëmeve.
“Jam plotësisht dakord me shqetësimet që ngrihen për t’iu gjetur pranë banorëve, bujqve të prekur nga përmbytjet apo ngricat. Për sa i përket aktit normativ, nuk mund të ndryshohet dot. Sot ose miratohet ose rrëzohet. Amendamente mbi aktin nuk bëjmë dot”, tha Balla.


