Një javë pas një moti me shumë reshje dhe daljes nga shtrati të lumenjve Vjosë, Seman dhe Shkumbin, situata po shkon drejt normalizimit në Qarkun e Fierit.
Të dhënat e fundit nga Emergjencat Civile të prefekturës flasin për ulje të nivelit të lumenjve.
Ndërkohë nga Drejtoria e Bujqësisë ka një listë paraprake të dëmeve, e cila pritet të zgjerohet më tej me tërheqjen e ujërave nga tokat bujqësore.
Deri tani bilanci i tokave të përmbytura është:
1.2 hektarë luleshtrydhe,
11 hektarë ullishte,
4 hektarë jonxhë
4 hektarë drithëra.
Këto toka janë përmbytur në Frakull, Levan, Mallakastër dhe Tërbuf.
Siç bëjnjë me dije , specialistë të Drejtorisë së Bujqësisë pritet të dalin në terren për të evidentuar dhe inventarizuar dëmet e pretenduara nga fermerët me qëllim përfshirjen e në listat e kompensimeve nga qeveria.
Ndërkohë reshjet janë ndërprerë edhe në Qarkun e Dibrës. Por temperaturat janë ulur ndjeshëm teksa mëngjesin e sotëm janë regjistruar në nivelin 3 gradë Celsius.
Në zonat malore në lartësinë mbi 900 metra ka pasur reshje dëbore. Disa njësi administrative janë prekur nga to, por pa shkaktuar probleme në qarkullim.
Ndërkohë, firmat kontraktore vijojnë me riparimet e dëmeve të shkaktuara nga rrëshqitja e inerteve dhe dalja e përrenjve malorë në rrugët e fshatrave.


