Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri të ditur sot se për vendimin e djeshëm të Gjykatës së Apelit për vulën dhe logon e PD-së, do të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë.
Sipas tij, “synimi është që të dërgohet çështja në gjykatë ndërkombëtare”.
“Vendimi i Edi Ramës për të prishur vendimin e Gjykatës së Faktit, që u firmos nga 3 gjykatës të marrë peng, do hyjë në analet e drejtësisë shqiptare dhe botërore, si njolla më e zezë e turpit. Se shkeli një parim nga Roma e lashtë gjer më sot, se në një proces nuk mund të jetë kurrë palë ai që nuk ka qenë palë. Ky është rasti i parë në historinë e botës”, tha Berisha në një komunikim nga selia e PD-së.
“Duhet t’u njoftoj se vendimi në tërësi i juristëve është që ky akt, ky vendim të dërgohet për rekurs në Gjykatën e Lartë. Ne do e dërgojmë në Gjykatën e Lartë. Do kërkojmë përjashtimin e Sadushit nga gjykimi. Nuk presim asgjë tjetër, se urdhri është po ky, por ne do ndjekim procedurën në gjykatën ndërkombëtare. Sepse ka ndodhur një gjë që në një vend anëtar të Këshillit të Europës, në një vend të lirë në botë, nuk ndodh që të shpallet palë ajo që nuk është palë. Rregulli për ta dërguar në gjykatë ndërkombëtare çështjen, kërkon që të ezaurohen shkallët e gjykatave të vendit”, sqaroi Berisha.
Berisha theksoi se “të gjithë ata që u angazhuan në luftën kundër opozitës, janë në llojin e tyre McGonigalë, pavarësisht rolit që kryejnë, ambasadorë apo këshilltarë”.
“Ata u përpoqën t’i japin PD-së goditje fatale, duke i mbajtur një kufomë politike, një peng politik në krye të saj, që e akuzonin publikisht dhe ligjërisht si një kukull të financuar nga rusët, dhe sipas tyre, sipas Edi Ramës, por e vërteta sipas guvernatores Yuri Kim, ky ishte i përshtatshëm për të drejtuar forcën kryesore opozitare. Ky është paradoksi më i madh, jo për Edi Ramën. Përfaqësuesja e vendit të madh të lirisë, të përpiqet me të gjitha mënyrat, më flagrante të ligjeve dhe Kushtetutës, që opozita shqiptare të drejtohet nga një njeri i financuar nga rusët, nuk ka paradoks më të madh se ky”, tha Berisha.
Berisha theksoi se “në procesin gjyqësor të shpalljes palë të atij që nuk është palë, një rol të dorës së parë ka luajtur Yuri Kim, që ka ndërhyrë të gjykatësja me Erion Veliajn”


