Numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) në Belgjikë ka arritur në 50.509, me 242 raste të reja të konfirmuara në 24 orët e kaluara, ndërsa janë konfirmuar dhjetëra viktima të reja.
Në vend janë konfirmuar 97 viktima të reja nga virusi, me çka numri gjithsej i të vdekurve ka shkuar në 8.016, prej të cilëve 46 për qind kanë ndërruar jetë në spitale dhe 53 për qind në shtëpitë e të moshuarve.
Qendra belge e Krizave në një deklaratë njoftoi se në 24 orët e fundit, 84 persona janë shtruar në spital, kurse 63 të tjerë janë liruar pas trajtimit.
Gjithashtu në deklaratë thuhet se numri i të sëmurëve në njësitë e kujdesit intensiv është pakësuar me 9 persona, duke u ulur në 646.


