Biznesmeni i njohur Behgjet Pacolli është paraqitur sot, 31 tetor, në Prokurorinë e Tiranës, ku ka qëndruar rreth 4 orë.
Pas daljes së tij nga ambientet e Prokurorisë, ai bëri me dije për mediat se është thirrur si person që ka informacion mbi çështjen e aeroportit të Vlorës dhe në përgjigje të kallëzimit të bërë nga shtetasi Valon Ademi.
“Isha për të dhënë dëshmi, përgjigjen penale që ne kemi parashtruar, si person i informuar, që të tregoj kronologjinë e çështjes. Pala tjetër ka bërë kallëzim, ne jemi përgjigjur! Unë isha praktikisht si person i informuar për të dhënë informata”, tha ai.
Hodhi poshtë çdo aludim se qeveria shqiptare ka lidhje në këtë çështje.
“S’ka qeveria këtu asgjë, është e padrejtë të përmendet dikush nga qeveria!”, tha Pacolli.
Po cili është thelbi i konfliktit me Valon Ademin?
“E kam lënë në duart e gjykatës, besoj shumë në drejtësi dhe në vendimet gjyqësore”, u përgjigj biznesmeni.
Sa i takon këtij konflikti mes aksionerësh që ka përfunduar në dyert e Prokurorisë, është diskutuar në “Opinion” më 20 tetor.
Kompania Mabco Constructions SA, e përfaqësuar nga Behgjet Pacolli, e cila ka aktualisht të regjistruara 98% të aksioneve, pretendohet se ka marrë kredi nga një grup i panjohur, që në kushtet e kontratës merr në dorë Aeroportin e Vlorës.
“Një person është regjistruar si nën hetim, por nuk bëhet e ditur se kush është. Kompania 2A Group ka paditur tre persona. Gjatë javëve të fundit, Prokuroria ka konfirmuar që ka kryer disa veprime hetimore me administrimin e dokumentacionit si dhe marrjen në pyetje të personave të kallëzuar nga shtetasi Valon Ademi. Ai ka bërë edhe një kërkesë në Gjykatën e Tiranës për të penguar veprimet e mëtejshme për këtë koncesion”
