Presidenti i Republikës, Bajram Begaj mori pjesë sot në ceremoninë e 50-vjetorit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të zhvilluar në Prishtinë. Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit vlerësoi rolin historik të institucionit në zhvillimin e mendimit shkencor dhe kulturor në Kosovë.
“Ky institucion ka qenë dhe vazhdon të jetë busull e mendimit shkencor, ruajtjes së vlerave kombëtare dhe promotor i zhvillimit kulturor dhe intelektual”, u shpreh Begaj.
Ai theksoi se 50-vjetori i ASHAK përfaqëson një rrugëtim të dijes dhe përkushtimit intelektual. “Sot kremtojmë rrugëtimin gjysmëshekullor të dijes, sakrificës dhe përkushtimit intelektual, qytetar dhe kombëtar. Festojmë jetën e një institucioni që lindi në kushte të vështira, por që u ngrit në lartësinë e institucioneve të tjera simotra të kombeve të zhvilluara”, tha Presidenti.
Begaj përkujtoi me nderim figurat që kanë kontribuar në mbajtjen gjallë të gjuhës dhe kulturës shqipe në Kosovë. “Sot përkujtojmë udhëheqësit e shkollës shqipe, profesorët e normales, studiuesit dhe albanologët e parë shqiptarë… që me përkushtim dhe sakrificë punuan për të mbajtur gjallë arsimin, gjuhën dhe kulturën shqipe”, theksoi ai.
Presidenti vuri në dukje se shumë prej tyre punuan në rrethana të vështira, shpesh të privuar nga mjetet elementare të punës shkencore. “Ata mbase nuk kishin luksin e traditave të gjata akademike, por patën idealin dhe qëndresën për lirinë dhe për t’i hapur rrugë dijes… me një atdhedashuri sublime”, u shpreh Begaj.
Ai nënvizoi se falë këtij brezi intelektualësh “kultura, gjuha, historia dhe identiteti kombëtar shqiptar në Kosovë arritën të mbijetonin dhe të lulëzonin”.
Në vijim, Presidenti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës: “Në këtë histori qëndrese, Shqipëria ka qenë gjithmonë pranë jush. Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Universiteti i Tiranës dhe institucionet tona akademike bashkëpunuan ngushtë me kolegët në Kosovë”.
Begaj vlerësoi gjithashtu rolin e diasporës shqiptare në ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave kulturore e shkencore.
Në përmbyllje të fjalës së tij, ai u shpreh se 50-vjetori i Akademisë festohet duke nderuar “dhjetëra e qindra personalitete të dijes dhe artit që me punën, talentin dhe integritetin e tyre krijuan themelet e këtij institucioni”.


