Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, pas takimit me presidentin Bajram Begaj, deklaroi për mediat se data e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 është atribut i Presidentit, ndërsa standardet dhe procesi janë prioritet i opozitës.
Ai theksoi rëndësinë e listave të hapura dhe votës preferenciale, duke kërkuar që qytetarët të zgjedhin vetë deputetët e tyre, pa ndërhyrje nga “dhomat korruptive” të politikës.
“Data është atribut i Presidentit, standardet dhe procesi janë shqetësimi ynë. Dhe në veçanti tek standardi dhe te procesi, për ne është e rëndësishme që t’u jepet mundësia qytetarëve që t’i zgjedhin vet deputetët e ardhshëm dhe jo t’ua parazgjedhin në dhoma korruptive të vendimmarrjeve të lojtarëve të vjetër të politikës. Ndaj kam kërkuar nga presidenti i Republikës që të bëhet gjithçka për të ushtruar presion ndaj atyre që duan që dhe zgjedhjet e ardhshme t’i marrin peng për veten e tyre.
Në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të jetë në zgjedhje të rivendos lirinë e qytetarëve për të zgjedhur vet deputeten dhe deputetin që duan në Kuvend përmes listave të hapura apo votës preferenciale. Siç e dini Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar datën 26 nëntor për të dëgjuar ankesat tona për këtë çështje. Seanca është shtyrë me kërkesën e palëve të tjera, palëve kundërshtuese, atyre që bashkuan votat për të mbyllur listat për datën 4 dhjetor”- tha Basha.
Basha bëri thirrje për votim elektronik dhe identifikim biometrik, pasi vetëm kështu garantohet përfshirja e diasporës dhe shmangien e manipulimeve zgjedhore.
“Po kaq e rëndësishme është ajo që paralajmëruam prej kohësh, vota e diasporës të bëhet efektive. Që vota e diasporës të bëhet efektive ka një zgjidhje, e kërkuar prej kohësh nga unë, nga forca politike që përfaqësoj që është votimi elektronik. Identifikimi biometrik, votimi dhe numërimi elektronik për shqiptarët kudo që jetojnë, në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë”- tha Basha.
Ai gjithashtu tha se qeveria po keqpërdor burimet publike dhe përfshirjen në manipulimin e zgjedhjeve, duke kërkuar një mobilizim qytetar dhe opozitar për ndryshim. Sipas tij, vetëm përmes teknologjisë dhe një mobilizimi total mund të sigurohen zgjedhje të lira dhe një alternativë shpresëdhënëse për Shqipërinë.


