Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka kundërshtuar nismën e mazhorancës për pagat e magjistratëve, duke e cilësuar atë antikushtetuese. Gjatë fjalës së tij, Bardhi paralajmëroi se ligji do të dërgohet sërish në Gjykatën Kushtetuese dhe, sipas tij, do të rrëzohet.
“Me këtë ligj që keni sjellë ju, do të vijmë prapë këtu, sepse ligji do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe do ta rrëzojë sërish atë. Sepse ky propozim është në shkelje të hapur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm duke mos e reflektuar atë, por duke bërë të kundërtën e asaj që kërkohet”, deklaroi Bardhi nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut. Ai u shpreh se reforma në drejtësi synonte rikthimin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe se paga e tyre nuk duhet të trajtohet si një formë mëshire.
“Kur kemi bërë reformën në drejtësi, kemi qenë të qartë se duhet t’i kthejmë integritetin gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ne nuk mund t’i trajtojmë sot si lëmoshë. Në fund fare, ne duhet t’i trajtojmë ata minimalisht si veten”, tha ai. Bardhi solli në vëmendje edhe rritjet e pagave të deputetëve, kryeministrit dhe ministrave, duke theksuar se këta të fundit përfitojnë edhe një sërë shpenzimesh të tjera. “Ne ia rritëm rrogën vetes pak vite më parë me rreth 50%, kryeministrit me më shumë se 60%, ministrave me më shumë se 60%. Ne na paguhet nafta, telefoni dhe gjithçka tjetër. Nuk mund të bëhet krahasim me deputetët apo ministrat”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të PD-së.
Sipas Bardhit, pagat e magjistratëve duhet të jenë në një nivel më të lartë se ato të funksionarëve të tjerë të lartë të shtetit. “Po, një gjyqtar duhet ta kalojë edhe deputetin, edhe ministrin, edhe presidentin. Çfarë bën Bajram Begaj që rri kot në zyrë dhe nuk mund të marrë më shumë një magjistrat?”, deklaroi Bardhi. Në përfundim, ai theksoi rolin e gjyqtarëve në përballjen me krimin dhe dhënien e dënimeve të rënda. “Janë këta gjyqtarë që janë përballë krimit dhe japin dënime me burgim të përjetshëm. Prandaj meritojnë integritet dhe, e përsëris, nuk mund t’i trajtojmë për lëmoshë”, përfundoi Bardhi.


