Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është drejtuar me një shkresë Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke kërkuar anullimin e votimit për zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në shkresën e tij, Bardhi argumenton se procesi i votimit është zhvilluar në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Ai thekson se neni 17, pika 1 e Kodit Zgjedhor parashikon që “Komisioneri, anëtarët e Rregullatorit dhe anëtarët e KAS-it zgjidhen nga Kuvendi me jo më pak se tre të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”.
“Sipas nenit 55, pika 3 të Rregullores së Kuvendit, projektvendimet përkatëse nuk mund të konsiderohen të miratuara pa këtë shumicë të cilësuar. Për këtë arsye, në mbështetje të nenit 61 të Rregullores, ku përcaktohet se çdo votim i kryer në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin ose Rregulloren është i pavlefshëm, kërkojmë anulimin e votimit dhe përsëritjen e tij”, shkruan Bardhi në shkresë.
Bardhi në shkresë evidenton edhe votimin e realizuar dje gjatë punimeve në Kuvend.
Më tej, kreu i grupit të PD-së thekson se “ky rast provon edhe një herë se mocioni i opozitës për shkarkimin tuaj ishte i drejtë. Ju nuk keni as kapacitetin dhe as integritetin e duhur për drejtimin e Kuvendit. Ju vijoni të mendoni se urdhri politik i Taulant Ballës është mbi Kushtetutë, mbi ligj, mbi Rregulloren e Kuvendit. Ju vijoni të keni bindjen se mjafton të votojë ‘pro’ Taulant Balla dhe aktet në Kuvend s’kanë nevojë për kuorum sipas ligjit, sepse i quani të miratuara”.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së kërkon nga Kryetari i Kuvendit që, pas marrjes së mendimit të Sekretariatit për Procedurat dhe Votimet, të urdhërojë përsëritjen e menjëhershme të procesit të votimit.


