Në një deklaratë për mediat, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se mbështetja ndaj komandantëve të UÇK-së nuk vihet në dyshim dhe është një qëndrim i palëkundur i mazhorancës.
Ai theksoi se Shqipëria është e gatshme të miratojë një rezolutë në mbështetje të luftës çlirimtare, sapo Kuvendi i Kosovës të miratojë i pari një dokument të tillë.
“Duke e bërë për turp Kuvendin e Shqipërisë, këtë nuk mund ta lejojmë! Sapo Kuvendi i Kosovës të bëjë detyrën që i takon, të miratojë një rezolutë ku të shprehet qartë se liria e Kosovës sot ka një emër: është meritë e popullit të Kosovës, meritë e UÇK-së dhe rezistencës së Ibrahim Rugovës, meritë e aleatëve, SHBA-ve dhe vendeve të tjera të NATO-s që bënë të mundur çlirimin e Kosovës. Është e papranueshme që të hidhet baltë nga disa dëshmitarë që janë më shumë se qesharakë. Dhe sapo Parlamenti i Kosovës të flasë, atëherë edhe ne, sepse në bazë të atij vendimi është ngritur dhe institucioni për hetimin e tyre, pastaj kemi detyrimin, si moral ashtu edhe institucional, të miratojmë një rezolutë të dytë në Shqipëri. Këtë ka thënë edhe kryeministri Rama, qëndrimi i të cilit mbetet i njëjtë dhe i qëndrueshëm me kalimin e kohës.”, tha deputeti socialist, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me kërkesën e opozitës, për miratimin e një rezolute për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë.
Balla po ashtu theksoi se përpjekjet për të denigruar luftën e UÇK-së nga dëshmitarë të pabesueshëm janë të papranueshme, dhe kërkoi distancim të qartë nga shkelësit e embargos ndërkombëtare gjatë luftës. Ai gjithashtu kujtoi se në kohën kur liderët e Kosovës ishin në negociata në Rambuje, në Tiranë zhvilloheshin protesta që minonin përpjekjet për çlirim.
“Që ne i mbështesim komandantët e UÇK-së, nuk ka asnjë pikë dyshimi dhe kjo është e qartë. Edi Rama ka qenë shumë i qartë. Ka dhe një pjesë në opozitë që nuk flet. Këtu, para jush, në katërvjeçarin e shkuar, nuk e di sa herë kam folur për këtë çështje. Gjenocidi është dënuar, është dënuar gjithmonë. Shqiptarët e dinë se kur Hashim Thaçi dhe Ibrahim Rugova shkonin në Rambuje për të diskutuar me aleatët, dikush tjetër në Tiranë bënte protesta çdo ditë dhe bllokonte rrugët.
Kompania Shqiponja furnizonte me naftë, duke thyer embargon ndërkombëtare të vendosur ndaj makinerisë vrasëse të Millosheviçit. Duhet ndalim dhe distancim i qartë nga çdo shkelje e embargos. Dhe këtu, jam i gatshëm të bëj një diskutim me ju edhe për këtë çështje.”, tha Balla.