Policia e Tiranës i ka kërkuar zyrtarisht Spanjës për të zbuluar lëvizjet e Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit për qëndrimin e tyre 4 ditor në Barcelonë.
Deri më tani, autoritetet e huaja nuk i kanë kthyer përgjigje policisë shqiptare.
Që pas atentatit, policia ka kryer kontrolle në disa zona të ndryshme, Tiranë, Kamëz, Nikël dhe Fushë Krujë. Kontrolle u ushtruan në godina të braktisura dhe te persona të skeduar më herët.
Deri në këto momente nuk është gjetur asgjë me vlerë për hetimin. Të paktën 15 persona janë shoqëruar nga policia kryesisht familjarë të viktimës dhe të plagosurit.
Ekspertët e krimeve kanë rikuperuar dhe numrin e shasisë së mjetit tip Toyota dhe ka rezultuar i vjedhur në Greqi në 22 tetor të 2023. Targat po ashtu janë vjedhur, por në vitin e kaluar.
Ekspertiza paraprake nga morgu i Tiranës, ka nxjerr se Gilmando Dani ka marrë 20 plumba në trup, ndërsa në vendngjarje janë gjetur mbi 80 gëzhoja.
Në Spitalin e Traumës, vijon të jetë i intubuar Muçi Shaljani, i cili mori dhjetë plumba në trup, dy prej të cilëve në kokë.
Shënjestra e këtij atentati ka qenë Gilmando Dani, i cili ndërroi jetë menjëherë në vendin e ngjarjes. Ai ka qenë emër i njohur për drejtësinë pasi njihej si pjesëtar i grupit të Emiljano Shullazit. Nga ana tjetër, shoku i tij Muçi Shaljani, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, rezultoi të ishte agjent i AMP-së.
DSIK-ja, institucion që verifikon pastërtinë e figurës për punonjësit e agjencisë bëri me dije se Shaljani nuk rezulton të ketë certifikatë sigurie. Ai ishte punësuar prej shtatorit të këtij viti kur AMP drejtohej nga Artiol Saliasi dhe ka një kontratë 3-mujore deri në mes të dhjetorit.
Drejtori aktual i AMP-së, Eduart Merkaj ka pezulluar zinxhirin komandues të Forcës së Posaçme Operacionale deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij atentati. Po ashtu ka nisur një verifikim i brendshëm për të zbuluar se si Shaljani është rekrutuar brenda agjencisë.


