Ditën e sotme, 30 shtator 2025, në Gjykatën e Lartë, është zhvilluar mbledhja e posaçme e gjyqtarëve të këtij institucioni, për të përzgjedhur pasuesin e Holta Zaçajt në Kushtetuese.
Kështu, nga votimi i kryer për përzgjedhjen e anëtarit, kandidati Asim Vokshi mori 6 vota, Naureda Llagami 8 vota, ndërsa Florian Ballhysa asnjë votë.
Bazuar në këtë proces votimi, Asim Vokshi është përzgjedhur zyrtarisht si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, pasi edhe pse asnjë prej kandidatëve nuk arriti të merrte 3/5 e votave, Vokshi është i rënditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me 89.5 pikë.
“Tiranë, 30 shtator 2025 — Në ambientet e Gjykatës së Lartë, u zhvillua Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve të kësaj gjykate, me qëllim zhvillimin e procedurës së votimit për zgjedhjen e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.
Procesi u zhvillua në përputhje me parashikimet e Kushtetutës, ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar, si dhe Rregullores së miratuar nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Në përfundim të votimit, komisioni pasi verifikoi vlefshmërinë dhe numrin total të votave për secilin kandidat, konstatoi se:
z. Asim Vokshi – 6 vota
zj. Naureda Llagami – 8 vota
z. Florian Ballhysa – 0 vota
Komisioni kontatoi gjithashtu edhe një fletë votimi të pavlefshme.
Në kushtet kur parashikimet ligjore përcaktojnë se shpallet fitues kandidati që merr 3/5 e votave të pjesëmarrësve, dhe në rastin e votimit të sotëm ku asnjë nga kandidatët nuk e arriti këtë prag, komisioni shpall fitues kandidatin e renditur të parin nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Në këto kushte, z. Asim Vokshi zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi për zgjedhjen e z. Vokshi i komunikohet menjëherë Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe do të publikohet në Qendrën e Publikimeve Zyrtare“, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Kështu, Asim Vokshi do të përfundojë vetëm mandatin e mbetur të Holta Zaçajt, ndërsa procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese do të nisin menjëherë pas këtij emërimi.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese vendosi në dhjetor të vitit të kaluar mbarimin e mandatit të kryetares Zaçaj. Ky vendim i dha fund ngërçit ligjor mes këtij institucioni dhe Gjykatës së Lartë, e cila kishte hapur garën për zëvendësimin e saj.