Një operacion policor i koduar “New Start 2” ka goditur një bazë armatimi dhe droge në fshatin Suk të Roskovecit, duke vënë në pranga një 34-vjeçar dhe babanë e tij 61-vjeçar. Pas një hetimi njëmujor me metoda proaktive, forcat “Shqiponja” dhe ato Operacionale ndaluan fillimisht të riun me iniciale A. H. në dalje të fshatit, ku brenda në makinë iu gjet rreth 1 kilogram kanabis i ndarë në doza gati për shitje.
Kontrolli u shtri më tej në banesën dhe lokalin e familjes, ku policia zbuloi një sasi prej 17.6 kilogramësh kanabis të përpunuar dhe një arsenal të vërtetë armësh. Gjatë aksionit u sekuestruan dy pistoleta, dy automatikë, dy granata luftarake dhe mbi 1100 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Për shkak të arsenalit dhe drogës së gjetur në shtëpi, policia arrestoi edhe babanë e 34-vjeçarit. Tashmë të dy personat do të përballen me Prokurorinë e Fierit për akuzat e shitjes së narkotikëve dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake, ndërsa vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.


