Një 39-vjeçar është kapur dhe arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe me qëllim ekstradimin në Shqipëri pasi akuzohet si drejtuesi i një grupi kriminal që ka kultivuar bimë narkotike në Krujë.
Policia e Shtetit bëri të ditur sot se, si rezultat i bashkëpunimit të strukturave të Policisë së Shtetit me homologët, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, u bë e mundur kapja në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe arrestimi me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit B. S. alias B. X., 39 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në maj 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Shtetasi B. S. alias B. X. akuzohet se ka qenë drejtuesi i një grupi kriminal, i cili në vitin 2020 ka kultivuar bimëve narkotike në fshatrat e njësisë administrative Cudhi, Krujë.
Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi po bashkëpunojnë për të kryer procedurat e ekstradimit të këtij shtetasi, në Shqipëri.


