Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njofton konsumatorët për praninë e mundshme të trupit të huaj në produktin sallam Galbanetto të importuar nga Italia, duke e klasifikuar rastin si risk serioz për shëndetin.
Njoftimi është përcjellë përmes Sistemit të Shpejtë të Alarmit për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), pas një kontrolli zyrtar të kryer në Itali, ndërsa Shqipëria është përfshirë për ndjekje të rastit dhe marrjen e masave përkatëse.
Produkti për të cilin bëhet fjalë është “Salame Galbanetto G230 c.a” (sallam Galbanetto), me datë skadence 23 tetor 2026. Operatori paketues dhe eksportues është “Conad”, ndërsa operatori importues në Shqipëri është “Conad Albania”.
AKU u bën thirrje konsumatorëve që, nëse e kanë blerë dhe e kanë ende në posedim këtë produkt, të mos e konsumojnë dhe ta kthejnë pranë pikave të shitjes.
Sistemi RASFF është një mekanizëm i Bashkimit Evropian për shkëmbimin e shpejtë të informacionit mes autoriteteve të sigurisë ushqimore, me qëllim identifikimin dhe menaxhimin në kohë të rreziqeve që mund të prekin shëndetin e konsumatorëve.
AKU vijon ndjekjen e rastit dhe marrjen e masave të nevojshme në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore në tregun shqiptar.


