Detaje të reja janë zbardhur nga atentati me armë zjarri i ndodhur pasditen e kësaj të marte pranë rrethrrotullimit të Rinasit.
Viktima e ngjarjes është identifikuar si Gilmando Dani, 47 vjeç, person i njohur për lidhjet e tij me Emiljano Shullazin, ndërsa i plagosur rëndë ka mbetur Muçi Shaljani ( Sheqeri ) rreth 40 vjeç.
Të dy udhëtonin me një automjet tip “Mercedes Benz S” kur ndaj tyre është hapur zjarr nga persona ende të paidentifikuar.
Si pasojë e breshërisë së plumbave, Dani ka humbur jetën në vend, ndërsa Shaljani është transportuar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se Shaljani ka marrë një plumb në kokë dhe ndodhet në kujdesin intensiv të mjekëve.
Dyshohet se i plagosuri mund të jetë punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Ngjarja është regjistruar rreth orës 14:20 në rrethrrotullimin pranë aeroportit të Rinasit.
Menjëherë pas atentatit, autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë-Krujës, ndërsa pak më vonë është gjetur një automjet i djegur në fshatin Halil, që dyshohet se është përdorur prej tyre për t’u larguar nga vendngjarja.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur disa pika kontrolli në akset kryesore që lidhin Tiranën me Fushë-Krujën.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur rrethanat e plota të atentatit dhe për të identifikuar autorët.


