Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin për dënimin me 2 vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili bëhet kështu zyrtari më i lartë shqiptar që do të shkojë përfundimisht në qeli.
Lalla bëhet kështu ‘peshku i parë i madh’ që bie në rrjetën e drejtësisë së re.
Ish-Kryeprokurori është dënuar gjithashtu me 5 vite përjashtim nga postet publike si dhe ia janë konfiskuar 8 pasuri.
Mësohet se Llalla prej një jave është larguar jashtë vendit për t’u mjekuar në një klinikë private.
Nëse nuk paraqitet pas lënies në fuqi të vendimit, ndaj ish kryeprokurorit mund të shpallet mandat arresti e urdhër kërkimi ndërkombëtar.
Avokati i ish-kryeprokurorit, Sokol Hazizaj tha se vendimi është kopje e shkallës së parë, që nuk është i bazuar në prova.
“S’kam komunikim për argumente shëndetësore, për një mungesë hetimi nga ILDKPI për të vajtur te procesi penal, nuk ka asnjë gabim administrativ s ai përket deklarimit të pasurisë, unë isha në Gjykatën e Apelit dhe shtrova pretendimet në cilësinë e mbrojtjes ligjore, pastaj është avokati i shtetit që merret me njoftimit”, tha avokati.
Gjykata ka thënë se Llalla ka shkelur besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.
