SPAK i është përgjigjur interesit të gazetares së Klan News, Glidona Daci, në lidhje me hetimet për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Përmes një njoftimi zyrtar, SPAK bën të ditur se ka regjistruar procedimin penal nr.27/2024, i cili fillimisht bën fjalë për veprën penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Më tej, Prokuroria e Posaçme thekson se deri në këtë fazë të hetimit mbi provat e grumbulluara është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të “korrupsionit pasiv”, por edhe me veprat penale“Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.
SPAK thotë se informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga qytetari i vetëidentifikuar si Nesti Angoni. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale mbi bazën e të cilit u rregjistrua procedimi penal i mësipërm.
Sjellim në vëmendje se ditën e djeshme, kreu i Bashkisë Tiranë ka dëshmuar në SPAK për mbi 5 orë. Erion Veliaj ka dhënë shpjegime para oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, çështje e cila udhëhiqet nga prokurori i SPAK, Ols Dado. Pasi doli nga Prokuroria, Veliaj nuk pranoi të flasë për mediat. Sqarimet i dha në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku deklaroi se është denoncuar nga një njeri anomin, që nuk ekziston.
Për këto hetime, të hënën u mor në pyetje edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa. Në 6 Dhjetor, SPAK ushtroi kontroll personal ndaj Xoxës ku i sekuestroi telefonin. Kontrolle u ushtruan gjithashtu edhe në disa ambiente në pronësi të vëllait të kryebashkiakut, Arbër Veliaj. Kontrollet dhe sekuestrimet u kundërshtuan prej tyre me argumentet se ishin të paligjshme, por ankimet u rrëzuan nga gjykata.
NJOFTIMI I SPAK:
Në përgjigje të interesit tuaj ju komunikojme: Mbi bazën e informacionit për referimin e veprës penale i datës 08.02.2024- i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rregjistruar Procedimin Penal nr.27/2024, i cili fillimisht bën fjalë për veprën penale:“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u rregjistrua procedimi penal i mësipërm.
Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal.
Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Rregjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.


