Prej shumë minutash tashmë, deputeti Agron Shehaj ka bllokuar foltoren e Kuvendit. Ai qëndron aty pavarësisht se kryeparlamentarja Elisa Spiropali e përjashtoi nga seanca.
Por çfarë ndodhi?
Agron Shehaj kërkon disa muajsh një interpelancë me zv/kryeministren Belinda Balluku për rrugën Thumanë-Kashar. Ai e akuzon atë për korrupsion. Në çdo seancë që e ka kërkuar interpelancën, nuk i është miratuar.
Sot bëri përsëri të njëjtën gjë. Kërkoi interpelancë, por kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali tha se ministrja Belinda Balluku ndodhet jashtë vendit. Por disa minuta më vonë, Balluku është paraqitur në seancë.
Siç e kemi raportuar edhe më herët, Balluku foli duke thënë se ka qenë e gatshme për interpelancë, por Shehaj bën populizëm.
Pas kësaj, Shehaj ka kërkuar fjalën, por Spiropali nuk ia dha. Shehaj akuzon kryeparlamentaren se mashtroi për Ballukun dhe këtë të fundit se i fshihet interpelancës.
Megjithatë pavarësisht se vijon të qëndrojë në foltore, seanca vijon normalisht dhe deputetët flasin nga vendet e tyre.
Shehaj akuza Bardhit: Je bërë palë me PS-në
Teksa parlamenti është ndërprerë për disa minuta pushim, Agron Shehaj vijon që të qëndrojë në foltore.
Ai vijon debatet edhe me deputetët në radhët e Partisë Demokratike.
Siç raporton gazetari Enkel Xhangoli, Shehaj akuzoi Bardhin se është bërë palë me PS-në. “Keni bërë marrëveshje”, është shprehur ai.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD-së, Bardhi i është përgjigjur: Çfarë do nga ne, na thuaj!


