Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi sot projektligjin “Për anulimin e masave administrative”, propozuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla tha se ky projektligj synon anulimin e të gjitha masave administrative të vendosura nga 1 janari i vitet 2015 deri në 30 nëntor të vitit 2024, në zonat rurale sa i takon masave administrative të vendosura nga inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit, Inspektorati Qendror i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në të gjithë territorin e vendit.
Ndërsa deputeti Braçe shpjegoi se në 2014 në rregulloren e zhvillimit të territorit ka pasur ndryshime që synonin drejtpërdrejt kontrollin mbi territorin.
“U shtrënguan masat e ndërtimit, u vendosën rregulla dhe akoma më shumë burokraci. Pas tërmetit 2019 kjo rregullore ndryshoi dhe u shtrënguan më tej masat. Ata që e patën m ëtë vështirë procesin pas shtrëngimit të masave ishin banorët e zonave rurale. Fshati është gjithmonë më i prekur nga shtrëngimet ligjore. Duhet të kemi parasysh që në fshatra nuk ka politika strehimi, siç ndodh në qytet. Ndaj iu jemi drejtuar më këtë projektligj zonave rurale”, tha ai.
Deputetët e opozitës në komision, deklaruan se projektligji ka karakter politik dhe se vjen në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha se projektligji ka ardhur pa një relacion shpjegues për efektet në buxhet të këtij projektligji, dhe se nuk ka një analizë se sa gjoba janë mbledhur dhe se sa kanë mbetur pa u mbledhur.
Ajo theksoi se opozita është kundër gjobave të larta, joproporcionale me të ardhurat dhe dëmin që shkakton.
“Ne kemi një çështje thelbësore që lidhet me barazinë para ligjit. Janë një kategori qytetarësh që e kanë paguar gjobën. Si do të sillemi me ta? Ne këtu në Parlament duhet të synojmë barazinë para ligjit. Nuk mund të trajtohen ndryshe ata që e kanë paguar dhe ata që nuk e kanë paguar ndryshe qoftë edhe për shkak të vështirësive financiare. Opozita është kundër gjobave të larta. Gjobat për ndotjen në mjedis ishin shumë të larta, jo proporcionale me të ardhurat por edhe dëmin në mjedis, ligji “Për të dhënat personale” parashikon gjoba deri në 10 milion euro joproporcionale në raport me të ardhurat që kanë bizneset. Kanë ardhur një sërë ligjesh që vendosin gjoba të larta dhe shqetësimi që unë kam është se pastaj tentohet për një amnisti të tillë. Sa më e lartë të jetë gjoba aq më shumë tentohet për të mos paguar gjobën, aq më shumë lind vend për abuzivizim dhe për interpretim dhe më pas për një amnisti”, deklaroi Tabaku
Sipas saj, duhet ngritur një sistem i tillë që sigurisht respekton ligjin, por nuk e përdor gjobën si kamxhik.
Ajo, po ashtu tha se ndërkohë që flasim për gjobat, bashkia e Tiranës ka bllokuar një sërë biznesesh për mospagimin e detyrimeve.
Tabaku vuri në dukje se mënyra se si është hartuar projektligji le në dorë të institucioneve vendore dhe inspektorëve vendosjen se kush gjobë do të anulohet.
“Ai inspektori që ka vënë gjobën vendos nëse do ta falë gjobën apo jo. Lë hapësirë për të kontaktuar me qytetin, premisë për korrupsion”, deklaroi Tabaku.
Ajo propozoi që pjesë e amnistisë të bëhen edhe detyrimet e prapambetura për energjinë dhe e ujin për disa shtresa vulnerabël, si pensionistët, familjet me ndihmë ekonomie apo personat me aftësi të kufizuar.
Deputeti Braçe shpjegoi se projektligji nuk është bërë për qëllime politike.
“Nëse do të shkonim me këtë logjikë dhe argument, duke qenë se kemi pasur të gjitha pushtetet i bie që me këtë projektligj po përfitojnë një palë tjetër politike, jo socialistët. Nëse janë ndëshkuar me masë administrative të majtë dhe të djathtë natyra e këtij ligji nuk është politike. Synon të zgjidhë një problematikë që është krijuar në fshat”, tha Braçe.
Braçe propozoi që ligji të hynte në fuqi menjëherë pas miratimit, me pëlqimin e Presidentit, propozim ky që u miratua në Komision.


