Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, rritja ekonomike e vendit nuk pasqyron përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve.
Në një konferencë për shtyp, Berisha u shpreh se, “është tejet e hidhur se dyfishimi i prodhimit të përgjithshëm të vendit në 11 vite, i të ardhurave në buxhet në 11 vite nuk ka gjetur asnjë pasqyrim në ekonominë dhe buxhetin familjar të rreth gjysmës së shqiptarëve”.
Përkundrazi, shtoi ai, “800 mijë pensionistë shqiptarë nuk kanë gëzuar asnjë rritje të pensionit të tyre. Ajo çfarë iu është dhënë pensionistëve si indeksim, e vërteta ka indeksuar as 50 për qind të asaj që duhej të indeksonte. Ndaj dhe sot, me pensionin aktual, çdo pensionist pas këtij indeksimi, blen 30-40 për qind më pak ushqime sesa blinte në vitin 2013 apo 2014”.
Gjithashtu, vijoi Berisha, kjo rritje ekonomike dhe ky dyfishim buxheti nuk ka pasur kurrë pasqyrimin e duhur as në rritjen e rrogave minimale dhe mesatare.
“Rrogat minimale dhe mesatare mbeten më të ulëtat në rajon, ndërkohë që në vitin 2013 këto ishin rrogat më të larta në rajon. Ato që kanë pësuar rritje stratosferike dhe janë më të lartat në rajon, janë rrogat më të larta. Pra, rritja ekonomike nuk ka një pasqyrim. Rritja ekonomike nuk ka asnjë pasqyrim në jetën e 66 mijë familjeve në ndihmë ekonomike. Ajo mbetet krejtësisht e huaj, pothuaj inekzistente për 40 për qind të popullatës në fshat, e cila merr si subvencion në buxhetin më të madh në histori prej 8.2 miliardë eurosh, gjithsej 40 milionë euro”, tha Berisha.
Kreu i PD nënvizoi se, “rritja ekonomike nuk është pasqyruar në detyrimet e shtetit ndaj qytetarëve të vet, ish-të përndjekurve politikë dhe pronarëve legjitimë të konfiskuar nga regjimi komunist”.
Berisha gjithashtu shpalosi programin për biznesin, teksa u shpreh se nëse PD vjen në pushtet do të përgjysmojë taksat, do të hapi ekonominë dhe do të garantojë garë të ndershme.
“Shqetësimi ynë i dytë shumë i madh është gjendja e biznesit në Shqipëri, në të cilën dora e zezë e qeverisë ndërhyn në mënyrë të egër. Shqipëria është i vetmi vend në planet në të cilin gjatë 11 vite, sistemi ligjor tatimor ka pësuar 60 ndryshime, gjë që hedh në erë çdo siguri juridike për investitorët në Shqipëri”, tha ai.
“PD zotohet për zbatimin me rreptësi të ligjeve të konkurrencës dhe garanton garë të ndershme për bizneset shqiptare. Ajo zotohet të hapë ekonomike mbi bazën e rregullave të forta, ligjeve të zbatuara për biznesin ndërkombëtar. Zotohet pra të garantojë lirinë ekonomike, vizioni ynë është gara e ndershme, është shteti ligjor. Vizioni ynë janë taksat e ulëta”, u shpreh Berisha.
“Ne garantojmë biznesin se përgjysmimi i taksave mbetet shtyllë kryesore e programit tonë. Roli i qeverisë do jetë i kufizuar dhe vetëm i kufizuar në mënyrë që sipërmarrësit të gëzojnë lirinë që meritojnë për suksesin e bizneseve të tyre”, nënvizoi ai.
Berisha tha se, “një nxitje të veçantë do të ketë inovacioni, sipërmarrja, start-up-et, kreditë e buta për të rinjtë, pra qeveria do bëjë gjithçka të favorizojë dhe mbështesë biznesin”.
“Një fond i fuqishëm do të garantojë eksportet e shqiptarëve. Vetëm një ekonomi që eksporton është një ekonomi që bazohet mbi prodhimin. Shqipëria është një nga vendet me pasuritë më të mëdha, me një potencial të madh eksporti, por edhe prodhimi të brendshëm industrial. Ndaj dhe ne në programin tonë, duke përcaktuar si shtyllë kryesore të këtij programi ekonominë, zotohemi që në një periudhë të shpejtë, së pari, të shndërrojmë rritjen ekonomike në mirëqenie, përmirësim të buxhetit të qytetarëve shqiptarë dhe së dyti, me një klimë miqësore ndaj biznesit të nxisim gjithnjë e më shumë suksesin, të mbështesim suksesin e tij”, tha ai.
Duke folur për protestën e së martës, Berisha tha se, do të ketë zhvillime.
Ne, theksoi ai, “kërkojmë miratimin e minimumit jetik prej 200 eurosh”.
“Do të ketë mobilitet, brenda dhe jashtë parlamentit. Qëllimi ynë është të miratohet amendamenti që vendos minimumin jetik, 200 euro për çdo shqiptar që merr më pak se kaq, apo që nuk merr asgjë. Pra ky është një hap i parë i një rëndësie jetike për të shuar ulërimin e sirenave të mjerimit dhe varfërisë anekënd vendit. Natyrisht këto sirena ulërinë më shumë se kudo tjetër, tek pensionistët shqiptarë”, tha Berisha.


