Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani u paraqit sot në SPAK, në kuadër të hetimit të pasurisë së tij.
I pyetur nga mediet nëse po hetohet për çështjen e “21 janarit”, Dogjani tha se nuk është thirrur, ndërsa shtoi se do të paraqitet nëse thirret nga SPAK.
“Unë jam tek SPAK për një denoncim që kam bërë që nuk kam pranuar të hesht në lidhje me grabitjen e pronës publike në Tiranë. Është një pallat i ndërtuar në 2006 dhe ndërtuesi në vend të legalizonte pallatet, ka zaptuar një pronë dhe e ka legalizuar në mënyrë të paligjshme. Ky zaptues na ka zaptuar edhe kopshtet publike dhe e përdor për parkim privat. Ne si banorë iu dorëzuam me kallëzim SPAK. Kemi bërë ankesa. Kjo tokë ka qenë tokë me pronar. Meqë ne bëmë këto ankesa, iu drejtuam edhe Kadastrës. Kadastra vetë mori një vendim, anuloi legalizimin”, tha Dogjnai.
Sipas tij, “një tokë publike nuk mund të tjetërsohet”.
“Kam komunikuar edhe me kryetarin e bashkisë, edhe me vetë Edi Ramën. I kam thënë se janë marrë hapësira publike dhe janë bërë parkingje. Ka ardhur edhe vetë ministri Balla dhe ka thënë që do ta ndjekim. Ndërkohë SPAK është duke hetuar për shtëpinë time, ku kam 20 vjet që jetoj atje me familjen”, shtoi ai.
Sipas tij, “gjyqi vazhdon, ndërkohë pronarët kërkojnë tokën e tyre”. “Janë marrë hapësirat publike dhe janë bërë parkime. SPAK ka për detyrë të hetojë çdo kallëzim që i vjen. Për këtë u thirra sot në SPAK. Për shtëpinë 100 metër katror, që e kam marr në vitin 2006. Unë pres drejtësi, zbatim të procedurave. Nuk jam thirrur për 21 janarin, nëse më thërrasin do të vij”, tha Dogjani.


