Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka komunikuar sot masën e sigurisë “Arrest me Burg”, pa afat për Leonard Dukën, të akuzuar për veprat penale të “Vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim”, “armëmbajtje pa leje”, “sigurim i kushteve për vrasje” dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Leonard Duka u arrestua në Belgjikë, dhe u ekstradua të premten në vendin tonë për llogari të hetimit të nisur nga Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si pjesë e dosjes “Plumbi i artë 2”.
Duka, mëngjesin e të hënës u paraqit në GJKKO për t’u njohur me masën e sigurisë, të caktuar më herët ndaj tij në mungesë. Duka akuzohet si i përfshirë në disa vrasje.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas dhe 6 shtetas të tjerë janë autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur në vitin 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, shtetasi S. M.
Gjithashtu, shtetasi Leonard Duka, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka planifikuar vrasjen e shtetasve Er. Ma., Er. Mi. dhe të anëtarëve të tjerë të grupit të tyre”, bën të ditur Policia e Shtetit.
Emri i Leonard Dukës është pjesë 33 urdhërarresteve të lëshuar SPAK dhe konfirmuar nga GJKKO më datë 29 korrik, në kuadër të dosjes “Plumbi i artë 2”


